Investimet në turizëm, më pak masivitet

Kryeministri Edi Rama, shprehu bindjen se “bashkë me AIDA-n, më në fund do të çojmë në port disa investime domethënëse në sektorin e turizmit që do të injektojnë sasira të konsiderueshme fondesh”. Gjatë ceremonisë së organizuar në Fier për fillimin e punimeve për stabilimentin e “Yura Corporation”, për prodhimin e pjesëve të këmbimit për makinat, Rama tha se:”Këto investime në turizëm do të çelin hapësira të konsiderueshme për punësim”.

Po ashtu ai tha se ”do të influencojnë në mënyrë të jashtëzakonshme edhe për zhvillimin e qëndrueshëm, bazuar në më pak masivitet dhe më shumë të ardhura nga turizmi, por edhe në drejtim të forcimit të domosdoshëm të imazhit të Shqipërisë turistike”. Kryeministri theksoi po ashtu domosdoshmërinë e bashkëpunimit në nivel qendror dhe vendor.

Sa i takon investimit të kompanisë “Yura Corporation”, Rama shprehu kënaqësinë që ky investim ndodh në Fier, një zonë me profil industrial. “Ardhja e kësaj kompanie i jep mundësi për ta ridizenjuar këtë profil dhe hapur perspektivë për kompani të tjera të afrohen”, tha ai.