Arrestohet këngëtari R Kelly, përballet me 13 akuza për abuzim seksual

Këngëtari i çmimit Grammy R Kelly është arrestuar në Çikago, për krime seksuale. 52 vjeçari është arrestuar të enjten nga policia e Nju Jorkut dhe hetuesit e departamentit të sigurisë.

Ndaj tij rëndojnë 13 akuza për krime seksuale, përfshirë këtu pornografi dhe pengim i drejtësisë, sipas zyrës së prokurorit të SHBA në Çikago.

Këngëtari i muzikës R&B i ka mohuar akuzat ndaj tij për dekada me radhë. Në 2008 u akuzua për pornografi me të mitur por gjykata e shpalli të pafajshëm. R Kelly u vendos në qendër të vëmendjes muajt e fundit edhe falë dokumentarit “Surviving R Kelly”, në të cilin rrëfeheshin histori mbi abuzimet seksuale të këngëtarit me fëmijë të moshave nga 13-16 vjeç.

Në qoftë se akuzat ndaj tij provohen, Kelly mund të përballet me dënimin 30 vjet burg. Kelly akuzohet nga 3 vajza të mitura dhe 4 gra, mes të cilave edhe ish bashkëshortja e tij, për abuzim seksual.

R Kelly është autor i disa hiteve botërore, si “I believe I can fly”, që kanë shitur më shumë se 75 milionë disqe, duke e renditur në majat e suksesit në fushën e rrymës R&B.