30 qershori/ KQZ hap kutitë në 11 QV në Lezhë, nis rinumërimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hapë ditën e sotme kutitë e votimit në 11 qendra votimi në Bashkinë e Lezhës. Në mbledhjen e djeshme, KQZ miratoi kërkesën ankimore të Partisë Konservatore Albania për të rinumëruar këto kuti votimi. Ishte Bindja Demokratike që paraqiti kërkesën në KQZ, duke kërkuar hapje kutish.

Pasi e rrëzoi disa herë, KQZ dje pranoi kërkesën e BD, ndërsa sot pritet rezultati i ri. Relatori i çështjes, Bledar Skënderi, kërkoi mbështetjen nga një prej anëtarëve të KQZ-së për të miratuar hapjen e kutive.

“Unë kërkoj mbështetjen e një nga kolegëve që konform këtyre dy neneve të mbështesin kërkesën time që ne të marrim këto prova që gjenden në kutitë e votimit, pra të bëjmë rinumërim”, tha Skënderi.

Nga ana tjetër, PS propozoi që nëse manipulimi me votat faktohet, atëherë të ketë ndjekje penale për komisionerët e përfshirë.