Thaçi: Kryeministri Zaev më kërkoi falje mua dhe Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka komentuar deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, se për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord ai dhe Aleksandër Vuçiç.

Thaçi tha se Zaev e ka telefonuar mbrëmë ku ka biseduar me të rreth 20 minuta, ku ai i kishte dhënë sqarime për atë që kishte biseduar në telefon me komedianët rusë që iu kishin prezantuar si ish presidenti i Ukrainës. Ai tha se Zaev i ka kërkuar falje atij personalisht po edhe Kosovës, ndërkohë që potencon se kryeministri maqedonas i ka thënë se të gjitha ato që i ka thënë i ka dëgjuar nga thashethemet dhe nuk ka asnjë fakt për ato që ka deklaruar.

Thaçi: Ka kërkuar falje mua personalisht, por edhe Kosovës

“Më ka thënë shumë qartë se ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit dhe gjithçka çka ka folur për gjoja 10 komunat e Kosovës që do t’i jepen Serbisë i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës ‘Sputnik’ dhe thashethemeve ruse. Këto janë fjalët të cilat mi ka thënë, ka kërkuar falje mua personalisht, por edhe Kosovës. Në të njëjtën kohë ka potencuar se ato që ai ka folur me mashtruesit,  të cilët e kanë thirrur në telefon janë gjëra,  të cilat nuk qëndrojnë në raport me Kosovën dhe se në të njëjtën kohë ka potencuar qartë se nuk ka asnjë fakt, asnjë evidencë, asnjë informacion zyrtar nga askush për atë që ka deklaruar, por të gjitha i ka të dëgjuara nga thashethemet lokale dhe ndërkombëtare. E në të njëjtën kohë në veçanti nga thashethemet e prezantuara dhe lajmet e rrejshme të gazetës ‘Sputnik’, e dezinfor matave ruse”, tha ai.

Kreu i shtetit bëri të ditur se edhe ai është telefonuar nga personat e njëjtë, por që nuk kishte rënë pre e mashtrimit.

Ai deklaroi se me ish-presidentin ukrainas Poroshenko është takuar në disa takime ndërkombëtare.

Thaçi: Mashtruesit më kanë telefonuar edhe mua

“Mashtruesit që kanë ra pre të tjerët kanë pretenduar të depërtojnë edhe në zyrën time, por është fat që sido që të jetë prej institucioneve në Kosovë, këtu ku punoj në Presidencë ka pasur kujdes maksimal, sepse unë nuk mund të flas me dikë pa qenë paraprakisht i informuar, pa i njohur temat të cilat mund t’i flas dhe pastaj pa u lidhur të dy kabinetet e presidentit të Kosovës me autoritetin që dëshiron të flas. Ka qenë para 7-8 muajve kjo përpjekje e tyre për të biseduar me mua si president i Kosovës, kështu që falënderoj kabinetin për punën e tyre shumë profesionale që e kanë preventuar këtë mundësi të komunikimit të drejtpërdrejtë të këtyre dy mashtruesve në emër të ish presidentit të Ukrainës Poroshenko. Kurse, Poroshenkon e kam takuar live në disa takime ndërkombëtare, kemi pasur një bashkëpunim serioz, shumë mirëkuptues dhe natyrisht të një vullneti të mirë mbështetës për Kosovën”, tha ai .

I pyetur se si do të jenë tani raportet me Maqedoninë Veriore, presidenti Thaçi tha se ato do të vazhdojnë të mbeten korrekte.

Thaçi: Raportet e Kosovës me Maqedoninë Veriore kanë qenë, janë dhe do të mbeten korrekte

“Raportet e Kosovës me Maqedoninë kanë qenë, janë dhe do të mbeten korrekte, pozitive, konstruktive të fqinjësisë së mirë. Kosova do të vazhdojë të fuqizojë perspektivën e saj euroatlantike, unë personalisht kam zhvilluar fushatën mbështetëse për referendumin në Maqedoninë për t’i hapur rrugë perspektives në NATO, për ndryshimin e emrit e gjithashtu edhe bashkëpunimin në nivel presidencial. Të gjitha institucionet kanë qenë dhe do të mbetet në suaza të bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe standardeve evropiane”, tha ai.

Këto komente kreu i shtetit i bëri pas takimit lamtumirës me shefen e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou/RTK