Tërhiqet PS, Prokuroria mund të arrestojë deputetët pa provat në Kuvend

Pas 2 vjetësh në sirtarët e Kuvendit, Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për autorizimin e ndjekjes penale.

Nisma ishte propozuar fillimisht në janar të vitit 2018 nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, por ka qenë po ky i fundit që e ka tërhequr atë. Asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës, pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, me ndryshimet e vitit 2012 në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të gjithë deputetët nuk gëzojnë më imunitet dhe Prokuroria mund të marrë autorizimin për arrestimin e tyre.

Gjatë diskutimit në komisionin e ligjeve, kreu i tij, Ulsi Manja, tha se nisma është tërhequr për të shmangur debatin politik. “Kur të paraqitet një rast i tillë, do t’i referohemi kushtetutës”, tha ai.