REZOLUTA/ PS, 20 kërkesa për Arta Markun: Godit krimin dhe nxjerrjen e sekretit hetimor (Bild)

Kuvendi i ka përcjellë një rezolutë Kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, me anë të së cilës shpreh pakënaqësi e njëherësh piketon disa detyra e prioritete që duhet të ketë organi qëndror i akuzës.

Rezulota është hartuar nga 72 deputetë, 67 nga PS e 5 të tjerë nga opozita, e cila pason raportin vjetor të znj. Marku, paraqitur në një prej seancave më të fundit në Kuvend.

Aty kërkohet rritjes e luftës kundër korrupsionit, e njëherësh dhe masa për nxjerrjen e sekretit hetimor, e kjo pas precedentit të publikimit të disa dosjeve në Bild-in gjerman.

Rezoluta në 20 pika:

1.Forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet zbatimit më të mirë të procedurave të hetimit proaktiv dhe përdorimit në kufijtë e ligjit të teknikave speciale të hetimit.

2.Sigurimin e zbatimit të drejtë dhe të njëllojtë të procedurave për sa u takon hetimeve pasurore, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Brenda muajit tetor 2019, të përcjellë në Kuvendin e Shqipërisë një raport në lidhje me ecurinë e zbatimit të këtij rekomandimi.

3.Zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, me qëllim rritjen cilësore, thellimin dhe intensifikimin e hetimeve në funksion të zbulimit dhe goditjes të veprimtarisë kriminale brenda vendit dhe të lidhjeve të tij jashtë vendit.

4.Rritjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet gjyqësore të huaja në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërgjyqësor, me qëllim shkëmbimin e informacionit lidhur me veprimtaritë e grupeve kriminale që shtrijnë aktivitetin me lidhjet e tyre jashtë vendit dhe nxitjen e krijimit e grupeve hetimore të përbashkëta për hetimin dhe goditjen e veprimtarisë së tyre brenda dhe jashtë vendit.

5.Bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Shkollën e Magjistraturës për identifikimit dhe planifikimin e drejtë të nevojave për magjistratë në sistemin e prokurorisë të juridiksionit të përgjithshëm. Forcimi i marrëdhënie të Prokurorit të Përgjithshëm me Këshillin e Lartë të Prokurorisë për qartësimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit është i mirëpritur.

6.Hartimin e udhëzimeve të nevojshme për zbatimin e rekomandimeve parësore të Këshillit të Ministrave për luftimin e kriminalitetit për vitin 2019. Kopje të udhëzimeve të miratuara të përcillen në Kuvend, menjëherë pas miratimit të tyre.

7.Hartimin e një kalendari të trajnimit të oficerëve të Policisë Gjyqësore, sipas kërkesave dhe nevojave për zbatimin e reformës në drejtësi brenda muajit shtator të viti 2019, si dhe të fillojë zbatimi i tij.

8.Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në konsulencë dhe me asistencë të partnerëve ndërkombëtarë, të hartohen/ose të përmirësohen manuale të mënyrës së identifikimit, evidentimit dhe ndjekjes së veprave penale të shtetasve shqiptarë, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim jo vetëm sigurimin e të dhënave për veprat penale, në të cilat shtetasit shqiptarë mund të jenë përfshirë si autorë, por edhe si viktima.

9.Përmbushjen e rekomandimeve të adresuara për Prokurorinë e Përgjithshme nga Komisioni i Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

10.Raportimin në Kuvend brenda muajit dhjetor 2019 në lidhje me zbatimin e rregullave të trajtimit të të miturve me kontakt në drejtësinë penale dhe ecurinë e zbatimit të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

11.Marrjen e masave për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të veprës penale dhe për të adresuar dhe rekomanduar zgjidhje për zbatimin e drejtë të rregullave për kërkesat e viktimës akuzuese.

12.Përdorimin më efektiv të instituteve procedurale të reja si: urdhri penal, marrëveshja e fajësisë, gjykimi i drejtpërdrejtë, duke hartuar dhe nxjerrje udhëzime të përgjithshme, me synim qartësimin e kuptimit dhe zbatimit në praktikë të kuadrit ligjor përkatës dhe mbikëqyrja e zbatimit tyre.

13.Mbledhjen, hedhjen dhe përpunimin, nga çdo prokurori, të statistikave të ndjekjes penale dhe të kriminalitetit, sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim që të mundësohet vlerësimi dhe krahasimi i kriminalitetit ndër vite dhe në raport me vendet e rajonit, në nivel evropian dhe ndërkombëtar, si dhe të mundësohet vlerësimi i politikës penale të zbatuar. Kuvendi kërkon dërgimin në Ministrinë e Drejtësisë të të dhënave statistikore të plota dhe të sakta për të gjitha veprat penale, të pandehurit, viktimat, dëmet ardhura nga vepra penale dhe në lidhje me zbatimin e politikës penale.

14.Hartimi dhe nxjerrja e rregullave standarde për organizimin dhe funksionimin e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm që sigurojnë efikasitet në organizimin, drejtimin dhe kontrollin e punës në çdo prokurori.

15.Rritjen e pavarësisë së prokurorisë dhe forcimin e kuptimit më të mirë të përgjegjësive nga çdo prokuror. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave për garantimin e pavarësisë së prokurorit, koordinimin e punës ndërmjet prokurorive të ndryshme, mes tyre dhe Policisë Gjyqësore të përfshira në hetime të përbashkëta.

16.Respektimin e ligjit për sekretin hetimor nga çdo prokuror dhe punonjës i prokurorisë. Në këtë kuadër, Kuvendi kërkon hartimin dhe nxjerrjen e rregullave të unifikuara për informimin e publikut dhe medias lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale të veprave penale, në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm, duke respektuar parimet e parashikuara në legjislacionin në fuqi në lidhje me ruajtjen e sekretit hetimor.

17.Hartimin dhe nxjerrjen e udhëzimeve në lidhje me zbatimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, që mundësojnë përmbushjen e qëllimit të ligjit.

18.Sigurimin e bashkëpunimit, koordinimit, shkëmbimit të informacionit dhe mbikëqyrjes së veprimtarisë, me të gjitha institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese që kanë shërbime të Policisë Gjyqësore.

19.Monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në të gjitha fazat e ndjekjes penale, nëpërmjet mbikëqyrjes nga prokuroria të respektimit të të drejtave dhe lirive kushtetuese dhe në ligj të shtetasve.

20.Rritjen e angazhimit të prokurorisë për zbatimin e rekomandimeve të Progres-raportit të Bashkimit Europian në lidhje me ndjekjen penale dhe luftimin e kriminalitetit.