Plani “galaktikë” i Realit, shet 6 yje për të transferuar Pogba-n nga United

Real Madrid deri më tani ka qenë skuadra më aktive në merkaton e kësaj vere, duke bërë disa blerje të rëndësishme, por skuadra madrilene tashmë kërkon të shesë edhe disa nga yjet që nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Zidane.

 

Synimi kryesor i strategut francez është afrimi i Paul Pogba, por që kjo gjë të ndodhë duhet të shiten disa lojtarë dhe të grumbullohet një shumë prej 200 milionë paund. Deri më tani janë larguar Marcos Llorente, Theo Hernandez, Raul de Tomas dhe Mateo Kovacic, por lista e largimeve nuk do të përfundojë këtu.

Gareth Bale dhe Isco janë dy yjet që mund të gjenerojnë shumë para nga shitja e tyre. Uellsiani është më problematiku, pasi refuzon që të largohet në një tjetër ekip. Mesfushori spanjoll ndërkohë nuk ka pasur ende një ofertë që mund ta bindë për t’u larguar, edhe pse është i ndërgjegjshëm që hapësirat me ardhjen e Hazard dhe Jovic do të ngushtohen ndjeshëm.

James Rodriguez është emri tjetër që është në kërkim të një ekipi të ri. Situata më  të është më e thjeshtë, pasi ai do të largohet, por dilema është se kë do të zgjedhë mes Atleticos që ka një ofertë më të mirë, apo Napolit. Keylor Navas, Lucas Bazquez dhe Mariano Diaz janë tri emrat e fundit që do të japin kontributin e tyre në merkato për të sjellë Pogba në “Santiago Bernabeo. /Rozalb Lika-Koha Jone/