Pas dridhjeve, Merkel qëndron e ulur në ceremoni

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka qëndruar e ulur ndërsa luheshin himnet kombëtare të enjten gjatë një ceremonie zyrtare, në dukje për të parandaluar përsëritjen e dridhjeve të pakontrollueshme përmes një ndryshimi të rrallë protokolli. Pasi priti kryeministrin e ri të Danimarkës, Mette Frederiksen në hyrje të ndërtesës së qeverisë, Merkel duke buzëqeshur, iu drejtua një podiumi ku të dy liderët zunë vendet e tyre.

Lëvizja e pazakontë vjen një ditë pasi në një ceremoni të ngjashme, kancelarja Merkel u pa të dridhej në mënyrë të pavullnetshme, për të tretën herë në publik në më pak se një muaj, duke ngritur pikëpyetje të reja për shëndetin e saj. Merkel nisi të dridhej ndërsa luheshin himnet kombëtare në pritjen e kryeministrit finlandez, Antti Rinne.

Merkel ka qenë liderja e ekonomisë më të madhe të Europës prej 14 vitesh. Shpesh ajo është quajtur liderja me më shumë ndikim e BE dhe gruaja më e fuqishme në botë. Ajo ka thënë se do të largohet nga politika në fund të mandatit të saj, në 2021.