Nga 1 janari, 67 persona humbën jetën nga aksidentet rrugore

Aksidentet rrugore shtohen me disa dhjetëra më shumë nga viti në vit, ndërsa mbeten shkaktarët më të mëdhenj të vdekjeve tek moshat e reja. 67 të vdekur numërohen që nga 1 janari ndërsa vetëm brenda fundjavës që lamë pas 18 aksidente rrugore u raportuan.

Çdo ditë në urgjencën kombëtare mjekësore, në numrin 127, kërkohet ndihmë për 8-10 aksidente rrugore. Skdener Brataj na sqaron hartën e thirrjeve për ndihmë në momentin që flasim, ku kodi i kuq në ekran që sinjalizon për raste të rënda është i ndezur në më shumë se 10 raste.

Spostimi i popullatës drejt plazheve ka shtuar shumë radhët në trafik të automjeteve, të cilat bëhen shkak për vonesa në dhënien e ndihmës së parë. Skender Brataj u lutet qytetarëve të kërkojnë ndihmë në numrin 127 dhe të japin ekipit të urgjencës informacion të detajuar për personin e aksidentuar pasi kjo ndihmon shumë që vetë telefonuesi të kthehet në dhënës të ndihmës së parë.

Çdo ditë nga e gjithë Shqipëria drejt numrit 127 behën 1100 thirrje për ndihmë mjekësore ose çdo minutë një thirrje, ku përveç aksidenteve janë edhe goditjet nga i nxehti, të sëmurët kronikë, vizitat mjekësore në shtëpi, aksidentet në ujë etj. Gjysma e këtyre thirrjeve vijnë nga Tirana.