Kthim në vitin 1945

Nga Marjana DODA –

Nuk e kisha aspak të lehtë kur zgjodha këtë titull të analizës sime, por ndërsa lexoja e mendoja, më dukej sikur në një formë apo një tjetër historia po përseritet… fatkeqësisht periudha e antagonizmit të shqiptareve e ka zanafillen  që në marrëveshjen e Mukjes, më 2 gusht 1943

Gusht 1943 u nënshkrua marrëveshja mes Ballit Kombëtar e Partisë Komuniste për të bashkrenduar rezistencën kundër pushtuesit, duke themeluar  Komitetin e Shpëtimit Kombëtar për një Shqipëri të pavarur. Veç të tjerave Balli Kombëtar  kërkoi që  Kosova të bashkohej me Shqipërinë, ndërsa u vendos që këtë ta zgjidhte vete populli me referendum. Kjo ide e Ballit u konsiderua nga Partia Komuniste e Jugosllavisë si kundër revolucionare, gjë që bëri që PKSH dhe Enver Hoxha ta dënonte e konsideronte mosmarrëveshje, ndërsa Ballit iu shpall luftë (Pas 75 vjetësh sërish politika në Shqipëri  është e ndarë, njëra palë  është për korigjim kufijsh sipas variantit Thaçi-Vuçiç, pala tjetër kundër).

Në tetor 1944 Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar do deklaronte mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, duke lejuar dhe formimin e partive tjera politike, me përjashtim të Ballit Kombëtar e Legalitetit që u konsideruan si parti profashiste (Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, si rezultat i luftës dhe krizës politike nuk morën pjesë Partia Demokratike dhe Lëvjzja Socialiste për Integrim).

Për të shfrytëzuar hapsirën demokratike Fronti NÇL fillojë punën për formimin e organizatave opozitare, duke krijuar dy grupime brenda vetë Frontit, por që nuk gjetën frymën e përbashkët dhe nuk mundën të sigurojnë firmat e duhura për të marrë pjesë në zgjedhjet  e 2 dhjetorit 1945 ( Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 formohen e stisen parti si ajo e Bindjes Demokratike, Konservatore, etj.).

Në vitin 1945 opozitarët ilegal ankoheshin se organet ekzekutive kontrolloheshin tërësisht nga komunistët dhe se pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ ishin të pandarë, dhe si rrjedhojë nuk kishte liri demokratike ( Aktualisht, pas djegies  se mandatave nga opozita PD-LSI, ekzekutivi dhe legjislativi janë të një partie, të PS-së).

Në politikën e jashtme opozita e atëhershme vërente se qeveria komuniste i shmangej bashkëpunimit me qeveritë aleate angleze e amerikane, dhe pse SHBA dha porosi që të zhvilloheshin zgjedhje të lira, por Enver Hoxha jo vetëm që nuk i bëri të tilla por dëboi amerikanët nga Shqipëria .(Ndërsa sot po ndodh e kundërta, PS krenohet falë mbështëtjes  se “imperializmit amerikan”. Por a do pranonte Bundestagu gjerman apo Kongresi amerikan që të drejtohej nga ish ministri Brendëshëm i Gjermanisë Lindore, siç ndodh në  Shqipëri?).

Pas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945  PKSH, si parti e vetme u përpoq të asgjesonte çdo mendim opozitar dhe krijimin e partive tjera politike, duke i burgosur dhe shpallur armiq të popullit. Mbyllja e votimeve i hapi rrugën diktaturës duke fituar vetëm anëtarët e Frontit Demokratik NÇL (Në zgjedhjet e 30 qershorit fituan vetëm bashkiakët e PS, ndërsa opozitarët u burgosën për qëndresën dhe protestën e tyre).

Gjithë ky përngjasim të dy kohëve që nga koha e Mukjes, mori formë kryesisht në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. Në takimet e tij elektorale të qershorit 2017 k.min Edi Rama  kërkonte votën për të zotëruar i vetëm pushtetin, si në kohën e Leninit, i gjithë pushteti sovjetëve ( Rama sot, i gjithë pushteti socialistëve).

Në takimin elektoral më 2 qershor 2017 në Cepo të Gjirokastrës do deklaronte se: “Që të bëjmë shtet tamam duhet të kem  gjithë administratën shtetërore në funksion të njerezve e jo partive”, ndërsa në Lapardha më 6 qershor 2017 do kërkonte që ” ti japim një fuqi të plotë PS për  të mbajtur e vetme timonin e reformave të qeverisjes”.

Dhe vërtet Kryeministri ashtu bëri, të gjitha pushtetet i mori, mori të gjithë tepsinë,( term që tregon “babëzinë “ për pushtet) Të gjitha punësimet, tenderat, koncensionet i ka ai. Ekzekutivi, legjislativi,drejtësia jane tashmë në duart e tij. Dhe ajo që nuk kishte ndodhur kurrë me parë për median, në ditët më të vështira të saj, se nuk kishte ligj që ti shpallte luftë, sot  përgatitet ligji kundër shpifjes për ti mbyllur gojën të vetmit pushtet që guxon të jetë i lirë, dhe pse një pjesë e tij gjithashtu  është i kapur.

Pra tashmë sistemi demokratik në Shqipëri ka rënë. Pas 30 vitesh tranzicion , demokracia  është në rrezik e duhet ngritur nga e para, por  jo më me krim të organizuar, politikanë e pushtetarë  të korruptuar, por duhet ngritur një sistem i tërë ligjor dhe vlerash vërtet demokratike dhe plotësisht të monitoruara e të kontrolluara.

Ndaj, siç po bëhen përpjekje për të ringritur një drejtësi të atrofizuar, ashtu kërkohet të ngrihen të gjithë sistemet demokratike. Kërkohet sërish një marr ëveshje, dhe jo mosmarrëveshje, për të ngritur serish si në kohën e Mukjes një  Komitet të Shpëtimit Kombëtar, tashmë jo kundër pushtuesve fashistë, por kundër kriminelëve të krimit organizuar e korrupsionit që kanë pushtuar e shtypur pupullin e tyre. Duhet një revolucion i gjërë shoqëror e demokratik ,për të përmbysur këtë sistem politik 30-vjeçar që solli veç përçarje mes shqiptarëve. Shqipëria  tu kthehet shqiptarëve të vertetë që e duan ketë komb,  e jo atyre që e luftojnë atë.