“Mos e grric grethin me krane, se ke sjellë të zezën tane!”, o Edi Rama!

Në Veri të Shqipërisë ka një fjalë të urtë popullore: “Mos e grric grethin me krane, se ke sjellë të zezën tane!”.

Dhe Edi Rama duket se ka qejf “grricjen” kur poston foto me shënimin, siç e ka postuar (shiko foton).

Fotografia është e saktë, jo montazh. Eshtë foto e shkrepur gjatë festës së gazetës së parë të pavarur në Shqipëri, KOHA JONË, themeluar në Lezhë, më 11 maj 1991. E ku duken (duke filluar nga e majta); Andi Bushati, Arban Hasani, Ilir Babaramo, Erli Murati, Aleksandër Çipa, Arion Sulo, Tedi Blushi, Enton Abilekaj, Nikoll Lesi, Anila Basha dhe Lorenc Vangjeli, që të gjithë që kanë punuar apo punojnë në këtë gazetë. Natyrisht, në festë kishte shumë e më shumë gazetarë, të cilët kanë punuar në KOHA JONE, nga e cila kanë dalë afro 80 përqind e drejtuesve, analistëve dhe gazetarëve kryesorë në vend.

Në festë ishte ftuar edhe Edi Rama, si ish-gazetar i “KOHA JONË”. Por nuk erdhi se kishte shumë për të bërë për Kombin!

Teksti i fotos postuar nga Edi Rama në rrjetet sociale ka një shënim: “Të kujt janë këta? Të mit? Apo të Saliut?”

Ka edhe një fjalë të urtë, që “njeriu duket kur ka pushtet dhe para”. Dhe Edi Rama në vend të urimit fisnik e publik për gazetën më të madhe të pas pluralizmit, por që mbetet dhe më e madhja në historinë e medias shqiptare; postoi me ironi foton nga festa me një shënim fyes.

Ai e di mirë se as ne dhe as “Koha Jonë”, nuk janë të Saliut! Dhe po të kishim qenë apo të ishim, nuk ka asgjë të keqe. Më shumë jemi të “tutë”, por ti harron kur vije, ashtu i gjatë si je nga trupi, dhe futeshe nën derën e vogël të redaksisë, duke shkruar shkrimet kundër presidentit Sali apo kundër qeverisë që kishte kapluar gjithçka.

E mira do të ishte t’i ribotonim shkrimet me emrin tënd botuar në “KOHA JONË”! Ti shkruaje se kur një pushtet bëhet arrogant, duhet rrëzuar. Ti shkruaje se kur një pushtet i merr të gjitha pushtetet, duhet masakruar. Ti shkruaje se kur një pushtet kthehet në kriminal, duhet rrëzuar me forcë. Ti shkruaje se kur një pushtet uzurpon lirinë e fjalës dhe të drejtat demokratike, duhet fshirë nga faqja e dheut.

Ti shkruaje e çfarë nuk shkruaje, Edi! Asnjë presje shkrimi nuk të shkurtonte as Aleksandër Frangaj, as Armand Shkullaku, as Ben Blushi. Natyrisht as unë si më i madh se ti e këta, asokohe!

Tani pas, pothuaj 24 vitëve, ti ke ndryshuar. Je bërë vetë si personazhi për të cilin shkruaje, dikur, te “Koha Jonë”!

Me respekt Nikoll Lesi