Europol në Shqipëri, Xhafaj: Mundësi për çeljen e negociatave

Fatmir Xhafaj

Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon ku Europol do të ketë një zyrë të tij. Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, e konsideron si një lajm tejet pozitiv. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, deputeti i PS-së vlerëson edhe negociatat intensive gjatë vitit të kaluar duke vënë theksin te një sërë operacionesh të përbashkëta.

”Lajm shumë i mirë që sot u finalizua hapja e Zyrës Ndërlidhëse të Europol në Shqipëri, një proces i realizuar me sukses përmes negociatash intensive gjatë gjithë vitit të kaluar. Shoqëruar dhe me një sërë operacionesh të përbashkëta shumë të suksesshme, një pjesë e mirë e të cilave të inicuara në mënyrë proaktive nga vetë Policia e Shtetit”, shprehet Xhafaj.

Ndërkohë, ish-ministri siguron se ky është një hap më shumë drejt çeljes së negociatave. “Kjo zyrë do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe një mundësi e mirë për çeljen e negociatave. Urime ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për këtë arritje pozitive”.