AKU pranon skandalin: Nuk i bëjmë analizat për nivelin e nitratit të pjepri

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit reagoi sot për shqetësimin se disa prodhime bujqësore lejohen të dalin në treg edhe pse kanë nivele skandaloze të nitratit. Në vend që reagimin ta bënte duke çuar inspektorët nëpër tregjet e sinjalizuara nga Tv Klan dhe Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, AKU u kërkon konsumatorëve të qetësohen vetëm duke u thënë se nuk ka vend për alarm.

Edhe sot pas këtij reagimi AKU nuk është e aftë t’u tregojë shqiptareve se a i kontrollon ajo prodhimet bujqësore përpara se të dalin në treg. Dhe në rast se i kontrollon, ne ç’mënyrë e bën. Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë i pohoi Televizionit Klan se nuk kryen analiza të pjeprit. Atëherë, ku i kryen analizat e këtij produkti AKU për të dhënë garancinë se ajo çfarë konsumojmë është e sigurt?

AKU thotë se në lidhje me nivelin maksimal të lejuar të nitrateve në produktet ushqimore, inspektorët e tij, gjatë kontrolleve zyrtare marrin mostra për analizimin e këtyre produkteve duke ju referuar legjislacionit dhe akteve rregullatore në fuqi por pranon se ne asnjë akt nuk parashikohet asnjë normë mbi nivelin e nitrateve në pjepër.