Lufta ndaj korrupsionit, Ministria e Drejtësisë mbledh zv.ministrat

Ministria e Drejtësisë ka mbledhur sot Komitetin Koordinativ për Antikorrupsionin, ku ka diskutuar lidhur me raportin e monitorimit të strategjisë ndërsektoriale në 3-mujorin e parë të vitit.

Të pranishëm në mbledhje ishin disa nga zv. ministrat përgjegjës për antikorrupsionin në të gjitha ministritë e vendit, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të partnerëve strategjik dhe organizata të shoqërisë civile.

Nën drejtimin e zëvendës ministres së Drejtësisë Fjoralba Caka, u paraqitën përditësimet më të fundit të luftës kundër korrupsionit të shprehura në veprimtarinë e Task-Forcës përkatëse.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Caka ka zgjedhur të përcjellë disa nga detajet e këtij aktiviteti të ministrisë që synon fuqizimin e shtetit të së drejtës.

“Lufta kundër korrupsionit si prioritet i Qeverisë Shqiptare dhe si parakusht kryesor për ushtrimin e demokracisë nga qytetarët, nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, transparencës dhe integritetit të institucioneve ligjzbatuese, mblodhi sot si çdo 3-mujor në Ministrinë e Drejtësisë Grupin Tematik/Komiteti Koordinativ Antikorrupsion.
Me pjesëmarrjen e zv. ministrave përgjegjës për antikorrupsionin në të gjitha ministritë e vendit, me përfaqësim të institucioneve shtetërore me rol deciziv në luftën kundër korrupsionit, sikurse dhe në prani të përfaqësuesve të Delegacionit Evropian dhe partnerëve tanë të tjerë ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile, paraqitëm përditësimet më të fundit të luftës kundër korrupsionit, shprehur në veprimtarinë e pandalur të Task-Forcës Antikorrupsion.
Për sa më sipër, diskutuam dhe miratuam Raportin e Monitorimit të Zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale Antikorrupsion për 3-mujorin e parë të vitit”, nënvizon Caka.

Ndër të tjera, kjo e fundit tregon edhe fokusin ndaj draft-planit të ri të veprimit 2013-2023, të ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë në zbatim të strategjisë:

“Në fokus të Komitetit ishte edhe Draft-Plani i ri i Veprimit 2013-2023 në zbatim të Strategjisë. Mirëpritëm komentet e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë për draftin, të hartuar me kontributin e 28 institucioneve në vend, si dhe ndamë problematikat e hasura deri më tani mbi procesin e ndjekur, për lehtësimin dhe eleminimin e të cilave do të punojmë në vijim me asistencën e pamunguar dhe të mëtejshme të Delegacionit të BE në Shqipëri.
Falënderim gjithë aktorëve institucionalë dhe atyre përtej aparatit shtetëror për gatishmërinë e treguar deri më tani në ecurinë e mirë të luftës antikorrupsion, të cilët me angazhimin dhe entuziazmin e treguar edhe sot na japin zemër dhe besim të mirë se përpjekjet do të vijojnë edhe më të forta”, sqaron Caka.

Ndërkohë, në fjalën e saj para të pranishmëve, Caka ka zgjedhur të përcjellë edhe disa nga arritjet kryesore të këtij raporti:

“Në kuadër të rritjes së transparencës dhe përmirësimit të aksesit të qytetarëve në informacion, ministritë e linjës dhe kanë hartuar dhe po implementojnë programet e tyre të transparencës. Nga 161 institucione. 106 autoritete publike kanë publikuar në faqet e tyre zyrtare program transparence, 91 kanë publikuar regjistër të kërkesave dhe përgjigjeve dhe 103 kanë publikuar kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit. Përdorimi i teknologjisë së një mjet për të parandaluar kontaktin fizik në sportele dhe shmangur korrupsionin vijon të shihet si një instrument efektiv. Kemi një rritje të shërbimeve elektronike online dhe 720,000 dokumente me vulë elektronike të gjeneruara në periudhën janar – mars 2019, përmes modulit të e-albanias dhe portalit e-albania”, thekson Caka.