Kryeministri maqedonas, Zaev: Rusët janë pas lojës për ndarjen e Kosovës

-Përgjimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut tregoi se pas idesë së ndarjes apo shkëmbimit të territorëve mes Kosovës dhe Serbisë janë rusët, të cilët kanë vënë në përdorim presidentin Thaçi dhe kryeministrin Rama, pasi presidentin serb Vuçiç e kanë të tyre. Është skandaloze se si del e verteta e pazarit Vuçiç-Thaçi-Rama për copëtimin e territorëve shqiptare.

Thonë se humori është gjysma e të vërtetës, por në rastin e rrengut që iu punua kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, humori ka treguar gjithë të vërtetën e hidhur për Kosovën dhe Shqipërinë. Dy aktorë rusë, Aleksei Stoljarov dhe Vladimir Kuznetsov, në gusht të vitit 2018 janë prezantuar në sekretarinë telefonike të kryeministrit maqedonas si presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Qëllimi i bisedave nga humoristët rusë ka qenë humori dhe tallja, një gjë që ata më herët e kanë bërë edhe me ish-ministrin e Jashtëm britanik, Boris Johnson dhe sekretarin e NATO-s, Stoltenberg. Por në rastin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, biseda e sajuar nga humoristët ka marrë rrjedha shumë serioze pasi janë diskutuar çështje që prekin jo vetëm shtetin e tij, por edhe Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe gjithë rajonin. Pjesa më e rëndësishme e këtyre bisedave të përgjuara është ajo që lidhet me idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Zoran Zaev, duke kujtuar se po fliste në telefon me presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, thotë disa gjëra që përbëjnë thelbin e gjithë debatit për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Duke kujtuar se po fliste me Poroshenkon, kryeministri Zaev tregon se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord për ndryshimin e kufijve, duke hapur një kapitull që do të sjellë luftë në rajon. “Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancelarja Merkles është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t’ju vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi patur gjysëm orë bisede telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën”,- thota Zaev. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shton më pas se pas kësaj ideje qëndron Rusia dhe se ai personalisht ka vënë në dijeni  Zv/ Presidentin amerikan Mike Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan, Mike Pompeo. Ai paralajmëron se praktika që do të ndiqet me Kosovën do të përdoret me pas nga Rusia edhe për në vende të tjera.

Në dëshminë e Zoran Zaev ka disa elementë që duhen theksuar. Biseda është realizuar në gusht 2018, fiks pak muaj pasi Hashim Thaçi doli i pari me idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si një projekt të tijin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. Këtë projekt, indirekt dhe më pas direkt publikisht e ka mbështetur edhe Edi Rama, si dhe gjithë njerëzit e tij të afërt. Pas këtyre qëndrimeve të Thaçit dhe Ramës, kushdo që në Tiranë dhe Prishtinë që ka dalë kundër projektit është cilësuar si “armik i kombit shqiptar”, pasi sipas Thaçit dhe njerëzve të Edi Ramës, ndarja e kufijve është projekt i SHBA për Kosovën! Po sipas Thaçit dhe Edi Ramës, kushdo që po sulmonte idenë e shkëmbimit të territoreve ishte antiamerikan dhe antipolitikës së SHBA për rajonin. Me këtë mënyrë u kërcënua Ramush Haradinaj dhe politikanë të tjerë në Tiranë dhe Prishtinë që edhe sot janë kundër projekteve me shkëmbime territoresh. Në këtë pikë, përgjimi humoristik i kryeministrit Zavev kthehet në dramë dhe tragjedi për shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë. Përgjimi tregoi hapur se ideja që mbështet Hashim Thaçi dhe Edi Rama nuk është e SHBA, por është një projekt i Rusisë. Pra, qeveria e Tiranës dhe Presidenti i Kosovës kanë mbrojtur dhe lobuar për një projekt antikombëtar që rezulton se është sponsorizuar nga Rusia. Fatkeqësisht, diplomacia ruse nuk ka përdorur Serbinë për ta bërë të besueshme këtë ide, por ka arritur deri në pikën që e ka futur në axhendën zyrtare të Presidentit të Kosovës dhe Kryeministrit të Shqipërisë. Nëse në Shkup po qeshin me kryeministrin e tyre që ra në grepin e humoristëve rusë, në Tiranë kemi një problem shumë serioz. Zaev na tregoi se qeveria “Rama” është vënë në shërbim të një axhende ruse. E thënë thjeshtë, shqiptarët po paguajnë me paratë e tyre një projekt anti-kombëtar dhe të rrezikshëm për shqiptarët. Çuditërisht është e njëjta qeveri dhe i njëjti kryeministër që prej një viti akuzon opozitën e vendit se po u shërben axhendave të Kremlinit, me që po protestojnë për largimin e tij, pasi u kap në përgjime duke vjedhur vota. Sot, Zoran Zaev, mik personal i Edi Ramës, akuzon këtë të fundit dhe Hashim Thaçin se po zbaton një plan rus në Ballkan. A duhet provë më e qartë për lidhjet ruse sesa kaq?!

Mili Xhani