“Gabova, por më duheshin para për dasmën…”

“Gabova, por gjithçka e bëra për dashurinë”. Kështu ka deklaruar një 29-vjeçar shqiptar para trupës gjykuese në Perugia të Italisë, i cili disa ditë më parë u arrestua me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

“Martohem për 20 ditë dhe më duheshin para për dasmën. Për këtë arsye shpërndava kokainë”, i tha ai gjykatëses së çështjes.

Identiteti i shqiptarit nuk bëhet i ditur. Ai u mundua që t’i shpjegonte gjykatëses Carla Giangamboni se e kishte kryer këtë gabim sepse ishte bindur se kjo do të ishte një mënyrë për të siguruar paratë që do i shërbenin për dasmën.

I riu mbrohej nga avokatja Donatella Panzarola dhe pranoi dënimin me 1 vit e gjysmë burg, por me të drejtë lirimi me kusht. 29-vjeçari u arrestua të mërkurën e kaluar nga agjentët e anti-drogës. Këta të fundit kishin arritur tek ai pas gjurmëve që kishte lënë me disa klientë.

Në momentin e arrestimit atij iu gjetën 9 qese të vogla me drogë. Më pas, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjetën edhe materiale që shërbenin për peshimin dhe prerjen e lëndës narkotike në doza. Sikur të mos mjaftonte, celulari i tij binte vazhdimisht, ndërkohë që agjentët dyshonin se ishin klientë potencialë të tij që kërkonin drogë./abcnews.al