Paloka: Ish-funksionarë të PD-së kanë bashkëpunuar me Ramën

Gjatë intervistës në emisionin ”Dita Jonë” në A2 CNN, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka lëshoi disa akuza të rënda ndaj disa ish-eksponentëve të Partisë Demokratike, duke deklaruar se disa prej tyre kanë bashkëpunuar me “rivalin” Edi Rama “për të pasur përfitime personale”.

I pyetur për pakënaqësitë e figurave historike si Arben Imami dhe Jozefina Topalli, Paloka u përgjigj se “nuk i shoh dhe nuk i lexoj më”, duke shtuar madje se “kishin dikur një emër, por po e hedhin në plehra”. Pa përmendur emra, Paloka deklaroi se disa “funksionarë të PD-së kanë bashkëpunuar me Ramën që në 2013, për të pasur përfitime personale”.

I pyetur për emra të përveçëm, ai refuzon por sqaron se nuk e ka të paktën me Topallin, sepse ajo thjesht “e ka inatin me Bashën, kjo e bën të dali kundër partisë së saj”.