Lajthit kryeministri Edi Rama në parlament

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një nga fjalimet më të turpshme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Me një gjuhë fyese dhe denigruese ndaj Presidentit të Republikës, sot kryeministri Edi Rama ka tejkaluar çdo etikë politike, njerëzore dhe kushtetuese. Në gjithë qëndrimet e kryeministrit sot në parlament nuk kishte asnjë qëndrim politik apo argumentues, por mllef njerëzor, etiketime rrugësh dhe reagim jashtë standardeve me minimale të komunikimit.

Edi Rama e cilësoi Presidentin si armik të Parlamentit, armik të Kushtetutës, anti-amerikan, dhe anti-BE. Fjalimet e kreut të qeverisë, mund të gjejnë krahasim vetëm me fjalimet e periudhës së komunizmit, kur në Presidiumin e Kuvendit Popullor bëhej gjyqi publik ndaj armiqve të popullit. Të njëjtën gjuhë si propagandistët e komunizmit përdori edhe Edi Rama, duke dëshmuar jo sjellje kryeministri, por shfaqjen më arrogante të një kryetari qeverie.

Foli tamam, si dikur, diktatori komunist Enver Hoxha.

Edi Rama foli sot jo me gjuhën e logjikës, jo me dinjitetin e një kryeministri dhe aspak si një ish-aleat i Ilir Metës.

Edi Rama nuk ka folur kështu as kundër ish-presidentit Berisha në vitet 1992-1997.