Kryemadhi: Më 30 qershor Rama mori goditje ballore

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi për mediat u shpreh se në 30 qershor Rama mori goditje ballore. E pyetur për votimin e komisionit hetimor që lejon vazhdimin e procedurave për shkarkimin e Presidentit Meta, që u votua sot në një seancë të posaçme, Kryemadhi u shpreh se shqiptarët sot nuk kanë hallin e karriges së Metës por sepse duan të hyjnë në BE.

”Sot problemi është tek ajo që duan sot shqiptarët. Sot shqiptarët nuk kanë hallin e karriges së Metës, por duan një Shqipëri në BE”. Sipas Kryemadhit tashmë këto protesta nuk janë më të opozitës, por të qytetarëve shqiptarë që duan një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre.

“Nuk janë protesta të opozitës por të shqiptarëve për t’i dhënë fund tranzicionit. U lodhën shqiptarët me këtë tranzicion dhe këtë shfrytëzim. Ky reagim popullor kaq i madh ka qenë vetëm në vitet 1990 kur shqiptarët u ngritën për të rrëzuar regjimin komunist”, deklaroi Monika Kryemadhi. Gjithashtu ajo tha se me këtë qeveri Shqipëria nuk po shkon drejt integrimit evropian por drejt izolimit total.