Hoti-Ramës: Nëse do të provoni të shkarkoni kreun e shtetit, po ju them se ju nuk keni parë asgjë akoma

Elda Hoti është deputetja që hyri në Kuvend nga lista e LSI-së, pas djegies së mandateve nga kolegët e saj. Në seancën që po zhvillohet për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, deputetja Hoti doli hapur në mbrojtje të presidentit.

Ajo e konsideroi Ilir Metën si “rezistencën e fundit të demokracisë” dhe paralajmëroi Partinë Socialiste se nëse e shkarkojnë presidentin, atëherë “nuk kanë parë asgjë akoma”.

“Kur pranova mandatin e deputetes dyshova nëse po bëja atë që duhej. Mbështesja çdo nismë të LSI, përveç djegies së mandateve. Ju kurrë nuk do ta shkarkoni presidentin, aventurat diktatoriale janë të destinuara të dështojnë. Do të jem kundërshtare për të rrëzuar rezistencën e fundit të demokracisë. Nëse do të provoni të shkarkoni kreun e shtetit, po ju them se ju nuk keni parë asgjë akoma”, u shpreh Hoti.

Elda Hoti u bë e njohur për publikun për shkak se nuk dinte kur ishte krijuar Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që ajo bashkë me kolegët e tjerë të ‘opozitës së re’ u konsideruan fillimisht si “tradhtarë” nga drejtuesit e partive, retorikë që nuk po përdoret më prej javësh.