Mbështetje nga ndërkombëtarët? Nënkryetari i PD: DASH flet për regjimin kriminal të Ramës

Në fjalimin pas 30 qershorit, kryeministri Edi Rama falenderoi edhe faktorin ndërkombëtar, për rezistencën e palëkundur. Ka pasur dhe a ka ende opozita një mbështetje nga të huajt në kauzën e saj opozita? Në këtë krizë politike, ndërkombëtarët janë parë më pranë qeverisë por që për nënkryetarin e PD-së, shtypi i huaj e ka nxjerrë lakuriq regjimin kriminal të Edi Ramës. Gjatë intervistës për ”Koha Jonë”, Paloka, thotë se: “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, që evidenton se Rama e ka kthyer Shqipërinë në qendër operacionale të krimit të organizuar që po cënojnë dhe interesat e vetë SHBA, nuk më duket si mbështetje për të”.

Deklarata e plotë

Shpesh propaganda e Ramës përpiqet të krijojë perceptimin se “Rama ka mbështetjen e ndërkombëtarëve”. Të jem i sinqertë në shumë raste ja ka dalë ta krijojë një perceptim të tillë. Në fakt, ata që quhen në grup si “faktori ndërkombëtar” nuk janë ata burokratët që bëjnë deklarata apo japin intervista sa herë i duhet Ramës.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, që evidenton se Rama e ka kthyer Shqipërinë në qendër operacionale të krimit të organizuar që po cënojnë dhe interesat e vetë SHBA, nuk më duket si mbështetje për Ramën. Fakti që Rama ka 6 vjet në qeveri dhe nuk ka mundur të bëjë asnjë hap përpara në integrimin e vendit, që nga marrja e statusit të vendit kandidat, frut i punës së qeverisë së PD.

Hapi tjetër, hapja e negociatave ka mbetur në llucën e krimit dhe korrupsionit. Madje sot ka vende si Holanda e Zvicra, që mendojnë së shqiptarëve duhet t’ju bllokohet lëvizja e lirë. A mund të quhet kjo mbështetje ndaj Ramës? Po qëndrimet e qarta të partisë më të madhe qeverisëse në Gjermani? Fakti që Kongresi i Autoriteteve lokale të Këshillit të Europës, nuk pranoi të vëzhgonte farsën e 30 qershorit, a është mbështetje për Ramën? Pa futur një faktor determinant siç është ai i mediave më të rëndësishme ndërkombëtare, që tanimë e kanë nxjerrë lakuriq regjimin kriminal të Ramës përpara gjithë opinionit botëror. Atëherë ku qenka kjo mbështetje ndërkombëtare? Bota demokratike ka parime dhe parimet nuk mund ti ndryshojnë disa burokratë me interesa të dyshimta.

Redjon Shtylla / Koha jonë/

Intervistë/Paloka: Koha që shumica ti marri frymën bandës sunduese