Merkel mbështet Ballkanin: Të presim vjeshtën me optimizëm për negociatat

Kancelaria gjermane Angela Merkel ka mbështetur idenë e zgjerimit të Bashkimit Europian edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në konferencën për mediat pas përfundimit të samitit të Poznanit, Merkel tha se ideja e Presidentit francez, Emmanuel Macron se Bashkimi Europian nuk mund të pranojë më shumë anëtarë derisa mekanizmat e qeverisjes së bllokut të bëhen më efikase,  nuk duhet të vonojë pranimin e vendeve të Ballkanit.

“Presidenti francez Macron theksoi se mekanizmat e punës në Bashkimin  Europian duhet të përmirësohen dhe jam dakord  me këtë pikëpamje. Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen, por nuk e shikoj këtë deklaratë si një braktisje të bisedimeve të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Kancelaria Merkel solli sërish si shembull bashkëpunimi marrëveshjen për emrin që arriti Maqedonia e Veriut dhe Greqia, me ndërmjetësimin e Bullgarisë.

“Ky ishte një hap shumë i madh përpara dhe ne ishim duke pritur për këtë hap për vite me radhë. Tashmë rruga për në NATO dhe Bashkimin Europian është e hapur. Për më tepër, metodat e punës në Bashkimin Europian nuk janë nëpërmjet presionit, pasi secili vend vendos me përgjegjësi. Kështu që le të shikojmë drejt vjeshtës me optimizëm”.

Në fund të fjalës së saj, Merkel shtoi se procesi i pranimit për vendet e Ballkanit ka qenë shumë i gjatë dhe për këtë arsye objektivat nuk duhet të ndryshojnë.