Tusk kërkon pëlqimin e von der Leyen: “Ekuilibër gjinor”. I bën thirrje parlamentit që ta pranojë

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk i kërkoi Parlamentit Europian që të pranojë gjermanen Ursula von der Leyen si presidenten e ardhshme të Komisionit. Ai tha se është hera e parë që arrihet ekuilibri perfekt gjinor në postet kryesore dhe shtoi se shpreson që kjo të frymëzojë parlamentin në vendime. Asambleja do të votojë për von der Leyen në mes të muajit Korrik.

“Për të parën herë në histori, Këshilli Europian propozoi 2 gra dhe 2 burra për të drejtuar institucionet kryesore të Bashkimit Europian.  Unë ndihem i lumtur që kemi arritur ekuilibrin e përkryer gjinor në pozicionet kryesore. Kjo përbën një ndryshim pozitiv pasi Europa jo vetëm që po flet për gratë, por edhe po i zgjedh,” tha Tusk.

Bisedimet 3-ditore për të zgjedhur se kush do të mbush postet kryesore ishin vështira, duke vënë në dukje copëzimin e qendrës pro-Europës dhe ndikimet në vendimmarrjet e ardhshme për bllokun më të madh tregtar në botë. Megjithatë, Tusk tha se vendimi i fundit ishte pozitiv dhe mori më pak kohë krahasuar me 5 vite më parë, kur blloku zgjodhi lidershipin e kaluar.   Ndërkohë që postet kryesore të BE kanë dhënë përfaqësim për gratë dhe një ekuilibër mes konservatorëve, socialistëve dhe liberalëve,  anëtarët e Lindjes në Europë kanë mbetur të mënjanuar, së bashku me të Gjelbrit, që performuan mirë në zgjedhjet parlamentare.   Tusk bëri thirrje që kandidatët nga lindja dhe partive të Gjelbra, të përfaqësohen në postet dytësore.