Negociatat tregtare SHBA-Kinë/ Zyrtarët amerikanë thonë se do rinisin javën e ardhshme

Përfaqësuesit e lartë nga SHBA dhe Kina po përgatisin rifillimin e bisedimeve javën e ardhshme për të zgjidhur luftën tregtare mes 2 ekonomive më të mëdha në botë, sipas administratës së Trump.   Një zyrtar tjetër nga Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë, tha se 2 palët ndodhen në procesin e zhvillimit të një telefonate të nivelit parësor me zyrtarët kinezë javën e ardhshme.  Negociatorët e SHBA janë përfaqësuesi i Tregtisë Robert Lighthiszer dhe Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, ndërsa negociatori kryesor i Kinës është zv/Kryeministri, Liu He.

Të dyja palët kanë zhvilluar biseda telefonike që prej javës së kaluar, kur Donald Trump dhe XI Jinping ranë dakord për të rinisur negociatat për tregtinë.   Bisedimet mes 2 palëve ndaluan në muajin Maj, kur zyrtarët amerikanë akuzuan kinën se po tërhiqet nga angazhimet që kishte premtuar më parë.  Washingtoni e akuzon Pekinin për vjedhjen e pronës intelektuale dhe detyrimin e kompanive amerikane që të ndajnë teknologjinë me homologët kinezë, në mënyrë që të bëjnë biznes atje.  SHBA  kërkon që Kina të ndryshojë ligjet për këto çështje. Nga ana tjetër, Kina i ka mohuar këto praktika dhe ngurron të bëjë ndryshime të mëdha ligjore.