Boeing ndihmon familjet e viktimave – 100 milionë dollarë për aksidentet e 737 Max

Kompania Boeing deklaroi se do të  caktojë 100 milionë dollarë për të trajtuar nevojat e  familjeve dhe komunitetit për ata që u ndikuan nga 2 përplasjet e avionëve në Indonezi dhe Etiopi në Tetor 2018 dhe Mars 2019. Boeing bëri të ditur se fondet përbëjnë një investim fillestar për t’u paguar ndër vite në mbështetje të edukimit, vështirësive dhe shpenzimeve të jetesës për familjet e viktimave që vdiqën në aksidentin tragjik në Indonezi dhe Etiopi.   Dy aksidentet, që përfshinin Boeing 737 Max 8, lanë 346 njerëz të vdekur dhe sollën ndalimin e modelit që prej muajit Mars.

Presidenti i Boeing, Dennis Muilenburg, shprehu simpatinë më të sinqertë për familjet e viktimave dhe tha se shpreson që fondet do të ndihmojnë ato.   Ai rikonfirmoi se siguria e avionëve Boeing dhe ekuipazhi me pasagjerët që fluturojnë, përbëjnë prioritetin më të lartë. Kompanai do të bashkëpunojë me qeveritë lokale dhe organizatat jo fitimprurëse për të shpërndarë paranë në vitet e ardhshme.  Prodhuesi më i madh i avionëve në SHBA është kritikuar ashpër në muajt e fundit për sigurinë e avionëve 737, ndërkohë që Administrata Federale e Aviacionit i ka bërë presion që të përditësojë software-in e kontrollit të fluturimit, që është fajësuar pjesërisht për aksidentet.