Zbulohet plani i PD, Alibeaj: Ç’do ndodhë në bashkitë e djathta

Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, ka zbuluar në studion e News24 planin e demokratëve, lidhur me faktin nëse kryebashkiakët e djathtë do t’ua lirojnë zyrat pasardhësve të tyre socialistë, të dalë nga zgjedhjet e 30qershorit.

Lidhur me këtë, Alibeaj ka theksuar se kalimi i stafetës bëhet vetëm kur pasardhësi është i ligjshëm, duke dhënë kështu mesazhin se kryebashkiakët e PD nuk do t’i lirojnë zyrat e tyre.

“Nuk është punë karrigesh, tanët nuk e kanë bërë për karrige, se ata po. Kryetarët tanë kanë qenë të diskriminuar nga qeveria, asnjë projekt, kanë bërë vetëm me taksat e vogla. Asnjë mbështetje financiare nuk kanë marrë. Nuk është e rëndësishme çfarë do bëjnë kryetarët tanë, por çfarë do bëjë publiku në këto bashki.

Ky që po vjen nuk është produkt i dëshirës së tyre. Kryetarët tanë kanë për detyrë t’i lirojnë karrigen një pasardhësi të ligjshëm. Kur nuk njihet procesi, edhe produkti është i paligjshëm”, u shpreh ish-deputeti.

Më tej, ish-deputeti Abileaj ka zbuluar mesazhin që demokratët iu drejtuan qytetarëve para 30 qershorit, lidhur me çfarë do të ndodhte ditën e zgjedhjeve.

Alibeaj tha se në selinë blu është folur edhe për përplasje fizike, madje iu është thënë edhe qytetarëve të pamundësojnë zgjedhjet, qoftë edhe fizikisht.

“Ne thamë që do të pamundësojmë zgjedhjet dhe kjo bëhet duke mos marrë pjesë. Sa i takon përplasjeve fizike, e menduam. Ju thamë njerëzve që kjo nuk është çështje e opozitës, ne shqiptuam faktin që të mos lejonim zgjedhjet, qoftë edhe fizikisht. I thamë popullit “po e kemi të drejtën, të ndalojmë me çdo lloj mjeti farsën”. Ne nuk kompleksohemi nga asnjë ndërkombëtar, por dëgjojmë zërin e arsyes, që do të thotë nëse nga ana e regjimit ka papërgjegjshmëri, gjë që e treguan, se Rama kërkoi vëllavrasje, pse duhet ta çonim ne në planin e tyre.

E lamë të dështonte plani i autokratit dhe kështu ndodhi. Rama kishte ngritur kurth për të çuar vendin në vëllavrasje, sepse donte gjak. Ndërkohë, e vërteta ishte paqja, heshtja, reflektimi që duhet të kishte kjo shoqëri. Neve sot na qeveris Edi Rama, një bandë kriminale, që me dhunë ka arritur të marrë 15% të votave, ndërkohë që shënon fatin për 100% të shqiptarëve, kjo është dramë e madhe”, tha Alibeaj.

Ç’do bëjë opozita?

Është një moment reflektimi. Nuk e kishim menduar kurrë që do të kishte një sinjal të tillë qytetar, 85%. Nuk u kemi kërkuar kurrë shqiptarëve të na votojnë, ne kemi kërkuar vetëm zgjedhje të lira e të ndershme. Kishim mbështetje intensive, por tashmë kemi edhe shumë më tepër, madje kemi edhe socialistë. Kjo na rrit përgjegjësinë tonë. Rama na dha vota, se edhe kur bën zgjedhje vetëm, prapë vetëm vjedh.

Kjo është prova më e fortë, që zgjedhje më këtë njeri dhe këtë kupolë mafioze e kriminale nuk mund të bëhen kurrë në Shqipëri. Ajo që pamë më 30 qershor ishte një makth. Ishte trishtim ajo çfarë ndodhi sa i përket procesit. Për rezultatin u tregua fare qartë, me gjithë manipulimet që po ndodhin edhe sot, 15% e qytetarëve shqiptarë u detyruan të merrnin pjesë, 85% e refuzuan. Kjo është një e dhënë e saktë.

Qëndrimi i Metës?
Sipas pozicionit që ka dhënë sinjale dhe akte, në mënyrë që tensioni social të shfryhej dhe që t’ua kursente të gjithëve, brenda e jashtë, shfaqjet e shëmtuara të 30 qershorit. Ka bërë atë që Kushtetuta dhe ligji i kanë dhënë, mundësinë që palët të qartësohen. Në funksion të integrimit duhet paqe sociale dhe jo zgjedhje moniste, se nuk ka europian që ta pranojë në tryezë.

Ajo çfarë themi ne ndryshe nga Meta është se mund ta shtysh sa të duash, por kemi një problem të madh që quhet Edi Rama. Ajo që themi ne është kërkesë e nevojshme në këtë vend, duhet të bëjmë zgjedhje demokratike jo me këtë njeri. Do duhet që një orë e më parë ta eklipsojmë shfaqjen e turpshme të 30 qershorit me zgjedhje të ndershme. Me këtë njeri nuk bëhen zgjedhje, pikë mbaroi! 85% e shqiptarëve janë kthjelluar, por do duhet të kthjellohen edhe të tjerë, brenda e jashtë vendit.