Icardi mund të përfundojë te Juvja, mediat italiane zbulojnë dy detaje

Mauro Icardi nuk bën pjesë në planet e Interit për sezonin e ardhshëm dhe kjo është e konfirmuar tashmë, por disa koincidenca të dy ditëve të fundit, ka bërë mediat në Itali, të dyshojnë se po punohet për një transferim të tij te Juventusi. Kjo pasi ditën e djeshme, drejtori sportiv i bardhezinjve, Fabio Paratici udhëtoi në Ibiza për të qëndruar vetëm një natë, ndërsa në qytetin e famshëm spanjoll ishin edhe çifti Wanda Nara-Mauro Icardi.

 

Gjatë ditës së sotme, bashkëshortja menaxhere e sulmuesit argjentinas njoftoi në rrjetet sociale se po kthehet në Milano, ku do të qëndrojë vetëm 6 orë dhe më pas do të niset për në Sardegna, për të vijuar pushimet. Megjithatë gjatë këtyre 6 orëve qëndrim në Milano të çiftit Icardi, në qytet ka qenë sërish edhe Paratici, i angazhuar me disa operacione merkatoje.

Ende nuk ka konfirmime për takime mes palëve, por situata të bën të mendosh se diçka ka filluar të lëvizë. Në stolin e Juventusit është ulur Maurizio Sarri, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë për Icardin dhe e ka kërkuar edhe më herët te Napoli.