Basha deklaron prerë: Me Edi Ramën nuk bëjmë asnjë marrëveshje!

Kryeministri Edi Rama shpresonte se me votimet e 30 qershorit do të asgjësonte politikisht opozitën reale të vendit. Kokëfortësia për të shkuar në zgjedhje pa dekret dhe pa partitë reale të opozitës, u pa nga qeveria si mundësia e artë që të “lante hesapet” me PD, LSI, etj, duke i lënë terren për të vijuar projektin e shpikjes së një opozite të re dhe kapjen e gjithë pushteteve. Sigurisht, me zgjedhje të padekretuara dhe të manipuluara, ai ka marrë më shumë pushtet dhe bashki, por ka humbur shumë më tepër sesa kaq. Rezultatet e votimeve edhe sipas shifrave të KQZ, treguan se qeveria “Rama” ka mbështetjen e më pak se çerekut të shqiptarëve. Manipulimet e frikshme që po dalin në pah tregojnë se kryeministri është shumë larg shifrës 700 mijë të votave që ëndërronte për të justifikuar qeverisjen. Që zgjedhjet ishin një maskaradë politike, këtë nuk e thotë më vetëm opozita, por edhe i vetmi institucion i specializuar për monitorimin e zgjedhjeve, OSBE/ODIHR. Misioni i vëzhguesve u thirr nga qeveria në një proces që opozita e bojkotoi dhe Presidenti e zhdekretoi si datë. Pra, vëzhguesit qartazi u pozicionuan në një proces që dukej si mbështetje ndaj qeverisë. Por dje goditjen e parë në kokë gjithë procesit janë dhanë pikërisht njerëzit që zgjodhi qeveria për t’i kontrolluar zgjedhjet e saj. Misioni renditi dje me dhjetëra arsye që krijojnë pamjen e plotë të një procesi të parregullt dhe me shumë probleme. Ambasadorja e OSBE/ODIHR, Andry Glover përdori shprehjen “votime pa zgjedhje” dhe se “30 qershori nuk ishte në interesin e qytetarëve shqiptarë”. “Votimet pa zgjedhje” është i njëjti term që ndërkombëtarët përdorin për modelin e zgjedhjeve në Korenë e Veriut. Gjithashtu, misionit akuzoi KQZ-në për vendime të njëanshme dhe jo transparente, të cilat hoqën mundësinë që opozita të kishte komisionerë në këtë proces. Ndërsa pjesa më kryesore e raportit dje lidhej me faktin se godiste direkt Qeverinë “Rama”, KQZ dhe Kolegjin Zgjedhur duke u kujtuar se vendimet për dekretet e Presidentit merren nga Gjykata Kushtetuese. Praktikisht, vëzhguesit ndërkombëtarë në misionin që drejtohet nga vendet e BE dhe SHBA, thanë të njëjtat gjëra që opozita thotë prej ditësh për mënyrën sesi u bënë votimet e 30 qershorit. Dhe çfarë është më e rëndësishmja OSBE/ODIHR goditi standardet e këtij procesi duke rrëzuar gjithë qëndrimet e qeverisë “Rama” dhe farsën e një procesi monopartiak.

Votimet e njëanshme të PS-së e kanë sjellë Edi Ramën në një situatë të re politike. Institucionet ndërkombëtare të zgjedhjeve kanë shprehur kritika dhe ky proces do të sjellë penalitete në planin afatgjatë për negociatat e Shqipërisë. Për të zbutur goditjen nga ky proces, Edi Rama ka ndryshuar tonin me opozitën. Dje u shfaq për herë të parë jo si njeriu që kërkon eliminimin e opozitës, por si kryeministri që fton kundërshtarin për dialog. “Politika duhet të bëjë punën e saj për të bashkuar vendin. Por sigurisht, tangoja vallëzohet dyshe. Shpresoj që miqtë tanë në opozitë të reflektojnë për këtë dhe të kuptojnë që ajo çfarë bënë ishte një katastrofë për vetë ata”, ishte deklarata që Rama dha për televizionin “Al Jazeera”. Një deklaratë që duket sikur s’ka lidhje me kryeministrin që bërtiste pak ditë më parë, burg, shfarosje dhe pranga për kundërshtarët politikë. Në të gjitha format, ky qëndrim duket si një ftesë për dialog dhe joshje për opozitën, sigurisht i pasinqertë sepse dy ditë më parë të vetëm gjë që pranoi të diskutonte me opozitën ishte reforma zgjedhore. Kësaj ftese të vjetër, por të përsëritur në një kontekst të ri pas bërjes së zgjedhjeve monopartiake, Lulzim Basha i dha përgjigje dje. Në konferencën për mediat, Basha deklaroi se 30 qershori ishte një tjetër provë se përse me Edi Ramën nuk ka asnjë marrëveshje dhe as zgjedhje. “Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon: Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. Dhe 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të këtë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama duhet refuzuar siç e refuzuat ju. Ai nuk mund të jetë më pjesë e asnjë hapi drej të ardhmes”,- deklaroi Lulzim Basha në një komunikim për qytetarët dje në mbrëmje.

Ndërkohë në mbrëmje mbërriti një deklaratë e ambasadës së SHBA në Tiranë që jepte prapë krahë Edi Ramës. Në një farë mënyre rrëzonte raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

Por priten zhvillime të rëndësishme këto muaj deri në tetor.

Qamil Xhani