30 qershori “historik”/ Të gjitha manipulimet dhe parregullsitë e një procesi maskaradë votimesh

Votimet e 30 qershorit 2019, do të hyjnë në historinë e vendit si i vetmi proces, pa datë të dekretuar, pa opozitë dhe vetëm me Partinë Socialiste në garë. Fituesit diheshin që para një muaji dhe rezultati nuk ka asnjë vlerë për qytetarë dhe pas për mediat. Por edhe pse kemi një proces maskaradë dhe pa asnjë vlerë elektorale, sërish në votimet ku s’ke nevojë për asnjë manipulim, parregullsitë dhe shkeljet ligjore nuk kanë munguar. Nuk bëhet fjalë për incidente normale në ditë votimesh, por për shkelje serioze të Kodit Zgjedhor, Kodit Penal dhe Kushtetutës. Nuk dihet se si do të quhet ky proces nga ndërkombëtarët, por çfarëdo që të thonë në fund, shqiptarët mund të gjykojnë vet se çfarë votimesh u bënë dje. Shfaqje të tilla jemi mësuar t’i shohim në Korçë apo në Shkodër, por atmosfera dje në Surrel i ngjau ditës së karnavaleve dhe kjo falë vetë kryeministrit Edi Rama, i cili mendoi personalisht që këto votime moniste t’i shndërronte në një shfaqje karnavalesh. E tillë ishte paraqitja në qendrën e votimit nga kryeministri Edi Rama. Me një modë që askush nuk di ta shpjegojë, përveç personit të tij, votimeve të 30 qershorit Rama ua dha kuptimin vetë, si shfaqje karnavalesh. Duke marrë shkas nga paraqitja e Ramës në publik, deputeti Lefter Maliqi publikoi një video ku qytetarët fusin një gomar në ambientet e votimit. “Nga kalorës rilindje sot përfundoi në gomar rilindje. S’keni parë gjë akoma. Mister 15% në votime e gëzofsh fitoren”, u shpreh deputeti Lefter Maliqi.

Zhgënjimi

Zhgënjimi i votuesve si edhe në vitet e tjera është shfaqur dhe përmes shënimeve në fletët e votimit. Ende pa përfunduar afati për mbylljen e procesit në rrjetet sociale janë publikuar foto të fletëve, përmes të cilave zgjedhësit kanë dhënë një mendim ndryshe. Nuk votoj në monizëm, apo vendosja e siglës së PD përbri kandidatit të PS-së, apo vënia kryq e të gjithë fletës është një pjesë e të gjithë morisë së shprehjeve, ku nuk mungojnë as ato banalet. Edhe pse opozita nuk ka marrë pjesë në zgjedhje, çka do të sillte që në qendra të paraqiteshin vetëm mbështetësit e mazhorancës, sërish një numër prej atyre që respektuan të drejtën e shprehjes vendosën për të prishur fletën e votimit. Fotografimi i votës është një akt i ndaluar dhe i dënueshëm, por duket se komisionerët në këtë 30 qershor janë treguar më tolerantë. Numri më i qartë i fletëve të pavlefshme do të bëhet i ditur vetëm pas përfundimit të numërimit dhe shpalljes së rezultateve përfundimtare.

Tallja

Ndërsa vijonte procesi elektoral i zgjedhjeve njëpartiake shumë prej qytetarëve kanë bojkotuar në forma të ndryshme këtë proces farsë. Një pjesë e mirë kanë protestuar tek qendrat e votimeve në zonat përkatëse, disa të tjerë, të detyruar për të votuar nën presion se do të shkarkohen nga puna, e kanë shfaqur revoltën duke e bërë të pavlefshme fletën e votimit, ndërsa shumë foto qarkullojnë në mediat online, ku mbi to shkruhet “Rama ik” apo “Zgjedhje moniste”. Ndërsa një qytetar tjetër shkodran zgjodhi një formë krejt të veçantë ironike e talljeje me atë çfarë prodhoi Edi Rama dje në sytë e shqiptarëve. Ai ka gjetur dy “kuti votimi”, ku duket tualeti, duke ironizuar kështu votimet njëpartiake të 30 qershorit.

Në vijim po ju sjellim vetëm një pjesë të parregullsive që u kapën nga mediat dhe janë denoncuar gjatë ditës se djeshme. Është vetëm një pjesë e vogël e një procesi fals kombëtar që fyen çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike që ka.

Komisionerët plotësojnë letrat në Zall Dardhë

Edhe pse votimet e kësaj të diele ishin njëpartiake, kjo nuk i ka mjaftuar partisë në pushtet që të mbushë kutitë. Komisionerët janë filmuar dje teksa plotësonin letrat në Zall Dardhë.

Në Shkodër – U numëruan 40 votues, në kuti ishin 120 vota

Nga njësia administrative Bërdicë kishte dje denoncime nga demokratët për manipulim të numrit të votuesve. Një punonjës i njësisë administrative Berdicë deklaroi për RTV Ora se ka numëruar votuesit dhe nuk kanë votuar më shumë se 40 qytetarë. Nga ana tjetër, thotë ai, nga Komisioni pretendohet se kanë votuar 120 qytetarë. “Kemi qenë në vrojtim, me kontrollu sa njerëz hyjnë brenda se nuk kemi akses tjetër. Maksimumi kanë hyrë 35-40 veta. Komisioni pretendon 120. Ky fshat nuk i ka asnjëherë socialistë. Kam 29 vjet që angazhohem me zgjedhjet”, tha ai. Po çfarë thotë Komisioni? Të pyetur për këtë çështje, një përfaqësues i Komisionit pati këtë përgjigje: “Po shumë mirë, 35 janë. 35 kanë votuar. Kush do të shkojë dhe ti numërojë atje”.

Në Kavajë mbyllet më herët procesi, komisionerët: S’erdhi njeri për 5 orë

Duket se gara vetëm me një kandidat nuk ishte cudia e vetme e këtyre zgjedhjeve, me një vendim të padëgjuar më parë, njësia administrative në Synej të Kavajës, ka mbyllur votimin duke dorëzuar më pas kutitë, para orarit zyrtar, pasi prej 5 orësh, nuk u paraqit asnjë votues. I irrituar, kreu i KZAZ nr 2160 në Synej tha se morën vendim si komision, pasi në fshat nuk ka më votues. “Kam 5 orë që po rri aty nuk ka votues, morëm vendim e mbyllëm 15 minuta para morëm vendim si komision aty. 57 votues kanë votuar, nga 405 janë të gjithë në Itali, 100 shpi ka fshati. Nuk ka asnjë person me votu, ca të rrimë kotë aty.” tha ai në një prononcim për mediat.

Porosia e fundit e partisë për policët: Dilni mblidhni vota

Nëse mendoni se Policia e Shtetit është atashuar në qendra e votimit për të ruajtur rendin dhe sigurinë në to, gaboheni! Edhe pse e kanë të ndaluar me ligj përfshirjen në aktivitete politike, e për më tepër në fushata zgjedhore apo ditë votimi, dje u publikuar një mesazh që tregonte të kundërtën. Edhe pse të vetëm në garë, qeveria e kapur në panik për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime, ndaj dhe porositë për policët janë të qarta: të sillen sa më shumë njerëz në votime këto minuta të fundit. “Ka njeri që nuk më kaputur ende. Tërhiquni nga shkollat dhe detyra e re që do bëjmë është që të stimulojmë dhe të inkurajojmë njerëzit që kemi rreth vetes, familjarët, miqtë e shokët, me qëllim që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Kjo deri në orën 19:00, pastaj do takohemi te shkolla”, është mesazhi që kanë marrë dje policët që po ruanin qendrat e votimit.

Pjesëmarrje e ulët, kërcënohen policët bashkiake: Do t’iu kontrollohet gishti

Një mesazh i është dërguar Policisë Bashkiake prej shefit të këtij institucioni, ku policëve iu kërkohet të shkojnë të votohet urgjentisht. Më poshtë, sqarohet se urdhri është dhënë nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj. Policëve iu kërkohet që të shkojnë të votojnë pasi pjesëmarrja është tejet e ulët. Ata gjithashtu kërcënohen se të hënën do t’u kontrollohet edhe shenja e gishtit për të vërtetuar nëse kanë votuar apo jo.

Punonjësi detyrohet të shkojë në votime, ja çfarë shkruan në fletë

Një punonjës i administratës në Elbasan bën me dije se është detyruar të shkojë në qendrën e votimeve. Pavarësisht se ai është paraqitur për të votuar dhe fleta e tij është hedhur në votim, mesa duket vota e tij do të dalë e pavlefshme, pasi ai ka shkruar me indinjatë fjalët: “E mjera Shqipëri ku po shkon”.

Në Kashar po mbushen kutitë. Te Shkolla e Bashkuar po vijnë votues nga Durrësi

Çfarë nuk ndodhi dje nëpër Shqipëri. Nga denoncimet e shumta që vinin nga qytetarët, çuditë nuk kanë fund. Sipas këtyre denoncimeve të publikuara dje në media, në Kashar u mbushën kutitë nga komisionerët e PS-së. Në qendrat e votimit tek Shkolla e Bashkuar, ishin thirrur njerëz nga Vlora për të hedhur votat për PS-në. Në Durrës, nisën kërcënimet haptazi ndaj qytetarëve që nuk kishin shkuar për të votuar.

I ndarë nga jeta 12-vite më parë me emër në listat e votimit në Vorë 

Ndonëse Ministria e Brendshme tha se është bërë një punë shumë e mirë me listat shumëemërore të personave me të drejtë vote, në KZAZ-në e Vorës, emrat e disa të ndjerëve janë përfshirë në lista. Dy persona të ndjerë sipas Neës 24 janë identifikuar në lista, por për arsye etike emrat e tyre nuk janë bërë publikë. Një prej të ndjerëve ka ndërruar jetë 12 vite më parë.

Qytetari voton dy herë: “Dhe Soreca do të habitet”

Ish-deputeti i PD Luçiano Boçi ka publikuar dje rastin e një qytetari që pohon se ka votuar dy herë. Boçi e merr si shembull këtë rast për të treguar se sa të rregullta janë zgjedhjet, aq sa sipas tij edhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca do të habitet. “Shiheni vetë sa të rregullta janë zgjedhjet! Proces evropian sa dhe Soreca do habitet, pale vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë. Personi ka votuar në Cërrik. Qetësisht e me buzëqeshje tregon gishtat e shënjuar. Kur ky është futur dy herë, po të tjerët?! Partiakët, militantët, të fortët?! Po mbushja e kutive në fund?! Konkluzionin lijani në dorë OSBE-ODHIR”, tha Boçi.

Postribë, dështon votimi njëpartiak

Në fshatin Prekal në njësinë administrative të Postribës në rrethin e Shkodrës, nuk u votua fare për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Shkak janë bërë disa persona, ende të paidentifikuar për Policinë, që kanë djegur materialet e votimit që mbërritën në atë njësi. Për rastin, Policia e Shkodrës nuk ka asnjë person të shoqëruar ndërsa terreni mjaft i vështirë deri te shkolla ku ishte planifikuar ngritja e qendrave të votimit, duket se e ka vështirësuar punën e efektivëve të Policisë. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi zhvendosjen e këtyre qendrave por pa u përcaktuar vendet e reja.

E habitshme/ Në Delvinë kërkojnë 400 fletë të tjera votimi

Në Delvinë është kërkuar që numri i fletëve të votimit të rritet me 400. Sipas vendimit të KQZ që është si më poshtë, dy qendra votimi do të pajisen me nga 200 fletë votimi. Duket disi e habitshme përse duhen shtuar fletët e votimit kur në fakt pjesëmarrja është shumë e ulët në shkallë kombëtare. A mos ndoshta kutitë në Delvinë janë mbyllur në mënyrë fiktive?

Në Vagalat të Sarandës votohet me “lista dore”

Një ngjarje e pazakontë është shënuar ditën e djeshme në qendrën e votimit  47/ 191 në fshatin Vagalat në Bashkinë e Finiqit. Sipas denoncimit të bërë në këtë qendër, punohej me dy lista emërore ku njëra prej tyre është e shkruar me dorë dhe tjetra me kompjuter. Justifikimi i dhënë nga komisioneri është se nuk po gjendeshin fletët e votimit në momentin ku njerëzit ishin prezent dhe kërkonin që të votonin. Ndërkohë që komisioneri shprehet se këtë rast e ka evidentuar dhe e ka raportuar tek Bashkia e Finiqit dhe jo në KZAZ-në qendrore. Ndërkaq sipas informacioneve deri më tani kanë votuan në atë fletë rreth 50 vetë dhe ende po vijon votimi në fletën e të cilës emrat po shkruhen me dorë. “Unë jam komisioner dhe vëzhgues. Kështu është shkruajtur që në fillim me shkrim dore. Personave u është gjendur emri me vonesë dhe ndaj në fillim emrat e tyre janë shkruar në fletë me shkrim dore. Unë këtë gjë e kam denoncuar tek kryetari i Bashkisë e më pas erdhën dhe dhanë listat”, tha vëzhguesi.

Skandal në Skrapar, komisionerët urdhërohen që të mbushin kutitë

Sipas të dhënave të KQZ në Skrapar deri në orën 16:30 ishin 2900 votues. Të shqetësuar për pjesëmarrjen e ulët në votime me urdhër nga strukturat e PS urdhërohen komisionerët që të fillojnë mbushjen e kutive me vota fiktive. Sipas raportimeve në terren rezulton që në fshatin Strafickë është mbushur kutia me fletë votimi me 18 vota më shumë se numri i zgjedhësve. Gëzim Tomorrica njoftoi dje se ky urdhër në funksion të sigurimit të pjesëmarrjes, po zbatohet dhe në zona të tjera të Bashkisë Skrapar. Vlen të theksohet se Skrapari është një zonë me një konfigurim gjeografik të thellë me zona mjaft të izoluara dhe në mungesë të vëzhguesve,mungesës së komisionerëve opozitarë ky urdhër do të materializohet me një manipulim të pastër zgjedhor që do të çojë në deformim të vullnetit të votuesve me qëllimin e vetëm justifikimin e fitores së kandidatit në një proces fals pa garë.

Në Tropojë komisioneri kapet mat duke nxjerrë fletët e votimit e nga kutia

Edhe pse pa opozitën incidentet në komisionet e Qendrave të Votimit nuk mungojnë. Në Tropojë në Qendrën e Votimit, 440, 5 komisionerë janë kapur mat teksa nxjerrin fletën e votimit nga kutia. Ata kanë lëvizur kutinë e votimit, duke bërë të dalin fletët e votimit nga kutia e sigurisë. Në pamjet e publikuara nga RTV Ora dukej qartë që një prej komisionerëve merr fletën me ngjyrë të verdhë dhe e rifut në kuti.

Klos/ Konflikt me vëzhguesin, një i lënduar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të Klosit, ku raportohet se në një qendër votimesh në zonën Gurrë e madhe ka pasur një situatë konfliktuale. Asllan Likursi raportohet nga policia i lënduar, i cili po transportohet në spitalin e Burrelit. Paraprakisht, dyshohet se Likursi është konfliktuar me një vëzhgues në këtë qendër votimi. Policia dhe prokuroria po hetojnë ngjarjen.

Burri i kandidates së Ramës me makinë policie, presion qytetarëve

Një tjetër denoncim ka mbërritur në lidhje me votimet monopartiake të Edi Ramës dhe qeverisë së tij të kapur në korrupsion dhe në vjedhje të zgjedhjeve. Qytetarët kanë denoncuar se bashkëshorti i kandidates së Ramës në Bashkinë e Delviës, Majlinda Qilimi ka nisur kërcënimet ndaj qytetarëve që nuk dalin për të votuar. Sipas denoncuesit, ai duke përdorur edhe makinën e policisë, pasi është edhe vetë polic, ka shkuar shtëpi e më shtëpi duke kërcënuar qytetarët duke u thënë që të dilnin në votime.

Fletët e votimit sillen privatisht nga Sllovenia e çohen në Shkodër

Në këtë ditë votimesh të organizuara nga Edi Rama dhe qeveria e tij, skandalet nuk kanë të sosur. Po kjo që ka ndodhur në Shkodër është më shumë se skandal, është një shkelje e ligjit me të dyja këmbët. Fletët e votimit në Shkodër nuk kanë kaluar fare magazinat e KQZ-së, por janë sjellë nga Sllovenia me makina private deri në Podgoricë. Atje kanë shkuar makinat e ushtrisë dhe i kanë marrë. Fletët as nuk janë parë dhe as magazinuar nga ana e KQZ-së, duke shkelur në mënyrë flagrante Kodin Zgjedhor. “Materialet zgjedhore dhe fletët e votimit nuk kanë ardhur në të njëjtën kohë. Fillimisht kanë ardhur materialet zgjedhore dhe në ora 2:10 të mëngjesit kanë ardhur fletët e votimit. Fletët e votimit kanë ardhur privatisht nga Sllovenia në Podgoricë. Nga Podgorica janë transportuar me mjete ushtarake dhe kanë kaluar në doganën e Hanit të Hotit. Nga Dogana e Hanit Hot, janë sjellë direkt në KZAZ rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe kanë filluar të shpërndahen në ora 4:10 të mëngjesit. Fletët e votimit nuk kanë shkuar të magazinohen në KQZ, sipas Kodit Zgjedhor, dhe nga KQZ të shkojnë në KZAZ. Ky është një skandal flagrant zgjedhor dhe është lehtësisht i verifikueshëm e lidhur me transportin, Sistemin Tims, në Doganë, në KQZ dhe në KZAZ”, thuhet në denoncimin e djeshëm të zyrtarëve të PD-së në Shkodër.

 Votimet në Tiranë, qytetari bën shënim mbi fletë: Me detyrim…

Zgjedhjet e 30 qershorit po shndërrohen në një cirk nga ora në orë. Jo vetëm mungesa e opozitës, por konstatohen edhe absurditete të tjera. Një qytetar i Tiranës që është futur në qendrën e votimit nuk ka votuar, ka lënë një shënim. “Më detyruan”, shkruan ai në fletën e votimit. Pjesëmarrja deri më tani është në nivele minimale, ndonëse Rama dhe propaganda e tij po përpiqet ta shtojë në mënyrë artificiale.

Denoncimi/ I vjedhin kartën e identitetit, votojnë dhe pastaj ia flakin

Një tjetër denoncim për manipulime vjen nga ish-deputeti i PD, Fier Luan Baci. Ish-deputeti ka publikuar një video me kartën ID të Izet Saliajt të cilit sipas pretendimeve, i është vjedhur karta me qëllim për të votuar. Pas kësaj, ia kanë hedhur kartën poshtë qendrës së votimit. Ndiqni videon!

Manipulime hapur me karta ID

Në një deklaratë për mediat Kryetari i PD, Dega Vau Dejës, Agim Bushati, është shprehur se pjesëmarrja e votuesve në Bashkinë Vau Dejës ishte shumë më e ulët se ajo çka raporton KZAZ nr. 6 në Bushat. Ai tha se sipas verifikimeve të kryera nga grupet e ngritura pranë Qendrave të Votimit, flitet për një manipulim të hapur me kartat e identitetit.

Incidente në Skrapar

Janë shënuar incidente edhe në Skrapar, teksa po zhvilloheshin zgjedhjet vendore. Raportohet se një sherr mes dy personash është shënuar jashtë një qendre votimi. Konkretisht, konflikti ka ndodhur jashtë qendrës së votimit 3354, në Skrapar. Sipas policisë, sherri mes dy personave nuk e ka penguar procesin zgjedhor. Ndërkohë, policia ka ndërhyrë menjëherë, duke shoqëruar dy autorët e sherrit.

Denoncimi/ Plasin votimet me telefon, komisionerët mbushin kutitë

Rilindja e drejtuar nga Edi Rama ka vendosur që të përdorë çdo lloj mënyrë për të mbushur kutitë. Përgjatë gjithë ditës së djeshme njerëzit janë nxjerrë me dhunë nga shtëpitë e tyre për të shkuar e për të votuar, por socialistët dëshmuan dje se kishin hartuarn edhe një strategji të re. Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini ka denoncuar në faqen e tij në “Facebook” një mënyrë të re votimesh, ato me telefon. Komisionerët marrin në telefon njerëzit që janë jashtë shtetit dhe u marrin të dhënat dhe më pas fletët e votimit i mbushin dhe i hedhin po vetë në kuti.

Foto galeri nga ngjarjet qe shenuan diten e djeshme si “historike” per vendin

Gris fletën e votimit dhe tenton të marrë vulat, arrestohet 66-vjeçari në Kamëz

Policia e Kamzës ka vënë në pranga një 66-vjeçar, nën akuzën e “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor. Policia bën me dije arrestimi i “Astrit Çuçka, 66 vjeç banues në Kamz, u bë pasi  ky shtetas rreth orës 12:00, është paraqitur pranë QV Nr.  1567 dhe pasi ka marrë fletën e votimit, e ka  grisur atë dhe ka tentuar të marrë vulat e QV dhe të thyejë kutinë e votimit”. Ndërhyrja në kohë e Policisë bëri të mundur kapjen, shoqërimin dhe arrestimin e shtetasit të mësipërm. Materialet në ngarkim të shtetasit të sipërpërmëndur do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Vrenozi tallet keq me Fatos Nanon: Bisht qeni ngelet

Ilir Vrenozi, ka ironizuar pjesëmarrjen e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ka marrë pjesë në  votimet e Edi Ramës. “Fatos Nano voton. Unë e fitova bastin me dy demokratë që me thoshin Nano nuk voton të dielën, unë ju thosha voton. Po bisht i qenit, bisht qeni ngelet bre, po këta demokratët u gënjyen dy-tre herë nga deklaratat e Nanos kundër Ramës atëherë. Kurse unë e shaja Nanon dhe e shaj sepse ka qenë komunist muti, kurse tani do fillojnë ta shajnë demokratët, po është vone dhe moj”,- shkruan Vrenozi në Facebook.

Skandal pas skandali – Ja çfarë ndodhi me votimet në Gjirokastër

Çuditë dhe skandalet në këto palo votimet monopartiake nuk kishin fund. Votimet e organizuara nga Edi Rama dhe qeveria e tij e kapur në korrupsion dhe në vjedhje votash, po kthehen në parodi dhe po bëhen qesharake. Në qarkun e Gjirokastrës, po ndodhin çudi të mëdha. Ja çfarë na raportuan dje gazetarët tanë nga terreni: “Në Hormovë votim në emër të personave të të tjerëve. Afro 15 veta jashtë qendrës së votimit u bëjnë presion njerëzve; Në Gusmar është votuar pa karta identiteti dhe njëra prej tyre është kunata e e kryeadministratorit; Në qendrën e votimit tek shtëpia e oficerëve në Tepelenë edhe luhet bilardo edhe votohet; Drejtori i burgut të Bënçes, Redi Rama u jep leje gardianëve të burgut të ikin dhe të mbledhin familjarët dhe fisin për të votuar në të kundërt të hënën ikin nga puna; Në pallatin e Kulturës ku është KZAZ-ja në Tepelenë kishte përqendrim të madh të trimave të Tërmet Peçit; Në Tepelenë gruaja e sëmurë në shtrat nuk voton vetë dhe shkon burri i saj voton, është Vesel Cukalla”.

Në Dermenas, Administratori i PS kapet duke shpërndarë ushqime për vota

Një tjetër skandal është shënuar dje në Dërmenas, Qarku Fier. Administratori i kësaj njësie kapet duke shpërndarë pako me ushqime ditën e votimeve. Dilaver Shyti, administratori i caktuar nga PS, ka marrë përsipër që të rrisë numrin e votuesve duke blerë votën me ushqime, si miell, oriz, vaj.

Fleta e veçantë e votimit për FRESSH-istët

Duke nisur që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm ka nisur procesi i votimit në zgjedhjet e këtij 30 qershori në të gjithë Shqipërinë. Në shumicën e qyteteve kandidatët e Partisë Socialiste, e cila është edhe në pushtet janë të vetëm në garë pa asnjë kandidat përballë. Ndërsa së fundmi në rrjet po qarkullon një foto që ironizon edhe më tej këto votime që po ndodhin. Në këto foto ironizohen të rinjtë e FRESSH, të cilët në këtë fletë votimi duket se janë të “veçantë”. Fotoja është postuar nga faqja në Instagram “Studentët denoncojnë”. Si mundësi votimi FRESSH-istët kanë variacione të ndryshme të sufllaqeve. Nga ana tjetër pjesa dërrmuese e të rinjve shqiptarë janë larguar drejt Europës e kryesisht drejt Gjermanisë.

Kandidonte për bashkinë e Vlorës, por harroi pasaportën teksa shkon të votonte

Në bashkinë e Vlorës përveç Dritan Lelit nga Partia Socialiste, kandidonte edhe Valbona Mezini për Bindjen Demokratike. Ajo u paraqit dje për të votuar, por kishte harruar të merrte me vete një mjet identifikimi, çka i detyroi komisionerët që ta kthenin mbrapsht kandidaten e Patozit. “Në Vlorë ka shumë mungesa, shumë shërbime utilitare nuk funksionojnë sot. Nuk do ketë më varfëri, votoni Bindjen Demokratike. Për gjynahqarët që na ruajnë do të thosha, për partinë e madhe, t’i mbajë duart larg nga procesi, se sot flet sovrani. Muçua i Tanës, që e njeh mirë gjithë Vlora i them të largohet nga qendrat e votimit”, tha Mezini, pas tentativës së dytë të votimit.

PD: Kamera për të lexuar votat!

Partia Demokratike ka denoncuar regjistrimin e votave me anë të kamerave, një shkelje e rëndë ligjore sipas Kodit Zgjedhor dhe Kodit Penal. “Edhe pse votohet vetëm me një parti dhe vetëm me një kandidat, edhe pse votuesit, vëzhguesit, komisionerët, numëruesit i ka vetëm Rilindja prapë se prapë u përdor çdo instrument për të shantazhuar votuesit. Janë nxjerrë në terren bandat, drejtorët, policia dhe cdo funksionar tjetër për të shtuar figurantët. Por dhe kaq nuk i mjafton dhe nga frika se askush nuk po bindet për tu bërë pjesë e farsës së pushtetit të Edi Ramës, kanë vendosur dhomat e fshehta poshtë kamerave në shkollë, kopshte dhe kudo munden në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë. Çdo votë po regjistrohet dhe po monitorohet që të çojnë deri në fund vullnetin e Partisë! Asgjë nuk ka ndryshuar! Vetë votojnë, vetë numërojnë, vetë shpallin rezultatin! Partia voton, partia numëron, partia vulos”, thuhet në reagimin e PD.

Kreu i KQZ-së sqaron pjesëmarrjen në votime: Shifrat nuk janë të besueshme

Klement Zguri ka dal ditën e djeshme në një deklaratë të shkurtër për media ku ka theksuar se të gjitha shifrat e publikuara deri më tani nuk janë të konfirmuara nga KQZ dhe ato janë të marra nga KZAZ-të nëpërmjet komunikimeve telefonike. Ndërkohë që sipas Klement Zgurit të gjitha këto shifra nuk janë të besueshme. I pyetur nëse do të shkoj të votoj Zguri nuk ka dhënë një përgjigje. “Nuk është shifër zyrtare e ardhur nga KQZ, këtoj janë shifra nga KZAZ të marra me telefon. Këto nuk janë shifra zyrtare dhe unë mendoj që nuk janë shumë të besueshme. Nuk janë zyrtare janë paraprake dhe vijn përmes komunikimit telefonik. Unë shpjegimet e mia i kam dhënë në KQZ dhe nuk ka nevojë për shpjegim publik”, u shpreh dje Klement Zguri.

Vota e shkodranëve zbulohet “Live” në televizion

E drejta e qytetarëve për të votuar në mënyrë të fshehtë nuk po respektohet në Shkodër. Një nga televizionet e qytetit verior transmeton ‘Live’ momente nga votimi në dhomë të fshehtë. Në bashkinë e Shkodrës Valdrin Pjetri kandidon i vetëm për postin e kryebashkiakut. Zbulimi i votës e bën atë automatikisht të pavlefshme. Në rastin konkret, i gjithë votimi në këtë qendër duhet të përsëritet.

KQZ nis shpalljen e rezultateve të votimit monist që në orën 11:00

Një skandal i vërtetë është konsumuar dje edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucion që drejtohet nga Partia Socialiste që refuzoi zbatimin e dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore, në shkelje të kompetencave të tij. Konkretisht, KQZ-ja është kapur në flagrancë duke numëruar votat e djeshme, në një kohë që votimi kishte vetëm 4 orë që kishte filluar dhe duhet të mbyllet teorikisht në orën 19:00. KQZ është kapur duke nxjerrë në faqen e saj një rezultat te papërfunduar, pastaj është hequr me shpejtësi, por jo aq shpejt sa ky moment të mos fiksohej. “Shqipëria si Azerbajxhani, publikohen rezultatet e fitores para mbylljes së votimit”. Gazetari Neritan Sejamini, ka sjellë në vëmendje një episod nga zgjedhjet e vitit 2013 në Azerbajxhan, ku rezultati ishte i paracaktuar. Ai e krahasoi këtë episod me publikimin rezultateve të numërimit të votave nga KQZ, më shumë se 6 orë përpara nga përfundimi i zgjedhjeve lokale. “Në zgjedhjet e vitit 2013 në Azerbajxhan, qeveria shtypëse e Ilham Alijevit, për të krijuar imazh demokratik, krijoi dhe shpërndau një aplikacion për iPhone që u mundësonte qytetarëve të shikon drejtpërdrejt ecurinë e numërimit të votave. Por ata që shkarkuan aplikacionin zbuluan se mund t’i shihnin rezultatet e votimit që mbrëmjen para ditës së votimit. Edhe në Shqipëri, KQZ filloi të publikojë rezultatet e “numërimit” të votave që rreth orës 11:00 të paradites të ditës së votimit. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00.”- shkroi ai në profilin tij në Facebook.

Në Finiq votojnë familjarisht

Në Kranë të bashkisë së Finiqit qytetarët po votojnë familjarisht. Pamjet e transmetuara dje nga Top Channel tregojnë familjarët teksa votojnë së bashku. Për Bashkine e Finiqit garojnë dy kandidat, kryetari aktual Leonidha Kristo si i pavarur dhe Kristaq Kiço nga partia MEGA. Shumica e banorëve të kësaj Bashkie i përkasin minoritetit etnik grek.

Komisionerët e PS ja shtrojnë me birra dhe alkool gjatë votimeve

Çudirat e këtij procesi votimesh janë nga më të paimagjinueshmes. Nga gjithë vendi media po sjellë fakte skandaloze manipulimesh. Në një qendër votimi, shihet se komisionarët ja kanë shtruar me birra dhe ushqime. Një gjest i tillë jo vetëm tregon se procesi do jetë “tapë”, por edhe i parregullt.

Qytetarët merren me forcë për të shkuar në votime

Braktisja e madhe që qytetarët i kanë bërë votimeve monopartiake të organizuara nga PS dhe qeveria e korruptuar dhe e kapur në vjedhje votash, e ka shfaruar, duke dhënë urdhëra të çmendur. Në videon e mëposhtme shikohet se si persona të ndryshëm kanë marrë me forcë e dhunë pensionistë e deri edhe invalidë për ti çuar e të hedhin votën që ti rritet Edi Ramës numri i votuesve.

Dermenas, administratori kapet duke shpërndarë ushqime

Një tjetër skandal është shënuar në Dërmenas, Qarku Fier. Administratori i kësaj njësie kapet duke shpërndarë pako me ushqime ditën e votimeve. Dilaver Shyti, administratori i caktuar nga PS, ka marrë përsipër që të rrisë numrin e votuesve duke blerë votën me ushqime, si miell, oriz, vaj.

 

DENONCIMET E OPOZITES

“Votoni, se nesër shkoni për lesh”, Mano: Kërcënohen arsimtarët

Kreu i PD në Korçë, Andrea Mano tha se ka pasur një braktisje të madhe nga korçarët për procesin dhe se mësuesit dhe edukatorët janë kërcënuar që të votojnë duke iu thënë se “do shkojnë për lesh”. “Në votime e organizatës socialiste në vitin 2019 ka pasur një abandonim të madh në qytetin e Korçës. Deri tani 3.7 përqind e qytetarëve kanë marrë pjesë në votime. Korçarët bojkotuan zgjedhjet e organizatës socialiste. Partia Demokratike sot është në rolin e vëzhguesit të farsës. Fenomenet janë të papranueshme. Ka pasur presione në masë për njerëzit për të votuar. Janë shtuar telefonatat anonime, për mësuesit dhe edukatorët, ‘shkoni votoni se ditën e hënë do shkoni për lesh’ nga numra anonimë. Ka pasur prezence të drejtuesve të bashkisë, institucioneve shtetërore në Qendrat e Votimit. Në Barçë kanë votuar disa herë votues pa mjet identifikimi, pa lyer gishtin me bojë të zezë. Të gjitha këto denoncime i kemi nisur dhe në qendër. Farsa zgjedhore u braktis nga populli i Korçës. Në Qendra Votimi ka pasur shefa komisariatesh, policë të shumtë, nuk ka arsye. Pak më parë ndodhi një ngjarje e inskenuar nga policia në Barç. Kanë larguar nga shtëpitë banorët e Barçit, që të mos prishin votimet. Ka komuna të tëra, rajone siç është Voskopi ku procesi nuk e ka kaluar 5%. Ajo që dua t’u them qytetarëve korçarë është të rrinë të qetë, të rrinë larg qendrave të votimit, të mos intimidohen e të mos bien pre e provokimeve që mund të ndodhin pasdite”, deklaroi dje Andrea Mano.

Deputeti: Numri i votave të pavlefshme është më i madhi në histori

Deputeti i pavarur Lefter Maliqi deklaron se votimet e djeshme moniste treguan dështimin total të Rilindjes së Krimit.

“30 Qershori tregoi dështimin total të Rilindjes së Krimit. Pjesëmarrja tregoi zhgënjimin dhe humbjen fatale që e pret në zgjedhje normale PS. Opozita e bashkuar drejt fitores së sigurt. Socialistët e ndershëm s’e duan më Pinokun me çitjane treçerekshe, karnavalin e Rilindjes. As 15% s’kanë votuar në qarkun e Beratit dhe gjithë vendin. Rilindja në alarm po shantazhon këto dy orë: kërcënimet, shantazhimet, nëpërmjet njerëzve të deputetëve dhe segmenteve të administratës, duke i telefonuar e shantazhuar paraqituni merrni me vete kartat e identitetit të familjes e fisit, nesër s’do jeni në punë në bashki e administratë, ndërkohë punonjësit e administratës nesër do kontrollohen nga boja në gisht kanë votuar, apo jo, makinat e shtetit po marrin njerëz me detyrim, joshje, imponim. Vetë votojnë, vetë numërojnë, vetë mbushin kutitë. Ky është fundi! Dështimi i Rilindjes dhe fitorja e demokracisë. 1 Korriku dita e bardhë për shqiptarët, socialist, demokrat, LSI-st, Çam, minoritar, etj dhe bojë e zezë për Rilindjen e krimit dhe njollë e zezë për opinionin ndërkombëtar. Shikoni një pjesë të sms-ve? Rama ik, shporru, turpi po të mbulon, Zoti po të ndëshkon”, u shpreh Maliqi.

Deputeti Lefter Maliqi deklaron se votimet e 30 qershorit, përveç pjesëmarrjes së ulët historike do të mbahen mend dhe si votimet me më shumë vota të pavlefshme.

“OSBE, ODIHR po vëzhguat po monitoruat numërimin e votave do skandalizoheni me zhgarravinat, fletët e pavlefshme, fyerjet për Qeverinë e krimit. Shikoni mesazhet vetëm në Kuçovë e Berat. Rilindja dështoi. Qeveria e krimit, oligarkëve ra! Parlamenti ilegjitim i mbushur me servilë, të paaftë, të lidhur me krimin e korrupsionin. S’kanë votuar as 500.000 vota të vlefshme, 19% në shkallë vendi skandal pjesëmarrja e ulët, megjithëse administrata shkoi me urdhër, e shantazhuar dhe kërcënuar për vendin e punës. Nga 1 milion shuplaka në 2017, Rilindja përfundoi në 500 mijë, pra 1/2 në 2019, rilindje gjysmake, e dështuar totalisht. Presidenti të shpërndajë Parlamentin. Opozita të ngrihet në këmbë në protestë madhështore drejt zgjedhjeve lokale dhe të parakohshme për të ardhmen ekonomike të sigurisë dhe ëndrrës Europiane. Shih sms-të?”, tha deputeti Lefter Maliqi.

Mashtrimi i KQZ-së, PD: Në Shqipëri kanë votuar vetëm 15 %

Partia Demokratike ka deklaruar se deri në orën 19:00 kur janë mbyllur edhe votimet, në Shqipëri kanë votuar vetëm 15 për qind. Sipas Sekretarit të Çështjeve Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, kaq është numri i votuesve që kanë dalë dhe kanë mbështetur votimet monopartiake të Edi Ramës. Sipas tij, ka nisur falsifikimi dhe mbushja e kutive me vota fiktive. Kaso i ka cilësuar si kamikazë anëtarët e KQZ-së të Edi Ramës dhe deklaroi se ata do të mbajnë përgjegjësi për këtë farsë elektorale.

“Operacioni i drejtuar nga Edi Rama për falsifikimin e pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme po vazhdon deri në fund. KQZ-ja e paligjshme me 4 anëtarë vetëm nga PS, mashtroi shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar gjatë gjithë ditës dhe deri në fund të farsës. Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, deri në mbylljen e tyre në orën 19:00, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi është 15 për qind. Partia Demokratike paralajmëron kamikazët politikë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se ata do të mbajnë përgjegjësi për falsifikimin që kanë kryer. Me gjithë shkeljet e panumërta të denoncuara nga media dhe qytetarët: që nga votuesit shëtitës që votojnë disa herë, tek blerja e votave, tek mbushja e kutive, tek komisionet e votimit me nga 1 anëtarë, që nga votimi në grup deri tek votimi i hapur, tek kërcënimet dhe shantazhet e zyrtarëve dhe grupeve kriminale ndaj votuesve, e deri tek mbushja fiktive e listave të votuesve me emrat e emigrantëve; Edhe pse në këtë farsë ai vetë kandidon, vetë voton e vetë numëron. Paniku i Edi Ramës nga braktisja dhe refuzimi popullor e ka shtyrë drejt manipulimit flagrant të numrit të pjesëmarrësve në këtë farsë. As mbushja e kutive që po ndodh në këto momente, dhe as manipulimi i numrit të votuesve nuk e shpëtojnë Edi Ramën nga ajo që e dinë të gjithë tashmë. Shqiptarët e kanë refuzuar!”, tha Kaso.

Mashtrimi i KQZ-së, LSI: Votime në grup, votime disa herë nga një person dhe madje votime pa karta identiteti

Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar për herë të parë në lidhje me procesin e votimit. Përmes një deklarate për shtyp, ish-deputetja e LSI, Silva Caka, ka hedhur akuza ndaj KQZ. Ashtu si edhe Sekretari për zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, edhe Caka ka deklaruar se në qendrat e votimit ka pasur një pjesëmarrje tepër të ulët. Sipas Cakës, përveç se KZQ gënjen për shifrat, në procesin zgjedhor janë shënuar edhe disa incidente, si votimi në grup, votimi disa herë një person dhe madje votim pa karta identiteti.

“Duke servirur shifra të pavërteta. Raportimi nga komisioni socialistë të qeverisë. Është një përgjegjësi është të informojë publikun në % reale. Janë shifra jo reale dhe grup të shkeljeve. Pati përgjime me kamera. Votim në grup, votimi nga dy tre herë pa kartë identiteti. Sjellje skandaloze e persona të shpallur në kërkim. Votues vëzhgues komisionerë vetëm partia. Vetë votojnë vetë numërojnë. Partia voton partia numëron partia vulos”, tha Caka.

Duka: Në Durrës, zyrtari i PS-së rreh fëmijët që thërrasin “Rama Ik!”

Administratori i Partisë Socialiste në Katunin e Ri në Durrës ka dhunuar një fëmijë vetëm se përse thërriste “Rama ik”. Denoncimi është bërë nga kreu i PAA, Agron Duka.

“Faji i këtij vogëlushi ishte thirrja ‘Rama ik’, për këtë arsye ai u dhunua nga administratori i njësisë vendore Katund i Ri. Nervozimi i administratorit nuk buron thjeshte nga rebelimi i 12 vjeçarit, por edhe nga fakti se në këtë njësi administrative nga rreth 11.800 votues, deri në orën 13:00, vetëm 450 persona kanë marrë pjesë në këtë farsë. Megjithatë, opozita po monitoron procesin në çdo qendër votimi dhe nuk do të lejojë që frustrimi dhe frika nga kutitë bosh të kthehet në dhunë ndaj qytetarëve. Kjo marrëzi në të cilën vetë votojnë, vetë numërojnë dhe vetë certifikojnë, po refuzohet me neveri nga shqiptarët!”, u shpreh dje kreu i PAA-së, Agron Duka.

Spaho: Zgjedhje moniste, PS po çon njerëzit të votojnë 2-3 herë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho në një deklaratë për mediat tha dje se procesi i votimit ka qenë i qetë pavarësisht provokimeve nga ana e PS. Ai tha se njerëzit janë detyruar të dalin në votime duke u kërcënuar se do të hiqen nga puna, ose do t’u hiqet kempi.

“Është për të ardhur keq që pas 30 vjetësh demokraci m’u kujtuan skenat nga mesi i viteve ’70 dhe përgjatë viteve ’80 kur kam votuar në diktaturë. Votimet që po bëhen sot janë një farsë e vërtetë të organizuara nga një parti, që kujdeset t’i çojë në rresht votuesit për të votuar. Ajo administron procesin zgjedhor, madje nga faktet që janë publikuar deri tani ka filluar ti numërojë kutitë megjithëse procesi i votimit nuk ka përfunduar. Ndërsa në diktaturë po të mos votoje të internonin, sot gjithandej kam konstatuar që administratës publike i bëhet presion që nëse nuk voton, të hënën nuk do të jenë në punë, atyre që marrin ndihmë ekonomike i është thënë që do ju hiqet ndihma, të sëmurëve do ju hiqet KEMPI, e kështu me radhë. Nga informacionet që disponojmë ka një alarm në strukturat e PS-së dhe po i çojnë njerëzit të votojnë nga 2-3 herë për të rritur pjesëmarrjen. Kjo sepse qytetarët kanë reaguar, dhe refuzimi ka qenë masiv. Aktualisht në qarkun e Elbasanit nuk kanë votuar më shumë se 8 % e zgjedhësve. Dukuria kryesore e ditës së sotme janë përpjekjet masive të drejtuesve të PS, të institucioneve dhe ndërmarrjeve shtetërore për të çuar punonjësit të votojnë me çfarëdolloj çmimi kundrejt kërcënimeve që ju bëhen atyre. Gjithashtu, theksova që kemi porositur të gjithë përkrahësit tanë që të mos bien pre e provokimeve, të mos ketë incidente, pasi kjo është në interesin e Rilindjes dhe Edi Ramës”, deklaroi dje nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.

Paloka: Edhe pse pa garë, Rama sërish zbaton skemën kriminale për blerjen e votave

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka akuzon se Edi Rama sërish zbaton skemën kriminale për blerjen e votave, edhe kur s’ka garë tha ai, sërish Rama nuk heq dorë. Për këtë, Paloka publikoi dje nga selia blu një video ku sipas tij shfaqet Edmond Hajro duke blerë votat në Njësinë nr.9 në Tiranë në votimet e djeshme moniste.

“Përtej panoramës që po u kujton sot shqiptarëve votimet për partinë si në kohën e diktaturës, Edi Rama ka kryer një operacion kriminal për blerjen e votuesve. Edhe kur është i vetëm në votime, edhe kur kontrollon çdo hallkë të zinxhirit që ka lidhje me votën, Edi Ramës sërish i duhet të blejë votues, i duhet të vjedhë, i duhet të manipulojë rezultatin. Këtë herë Edi Ramës i duhet pjesëmarrja për të fshehur braktisjen masive të shqiptarëve. Për këtë arsye, ai ka vënë sërish në funksionim skemën kriminale të blerjes së votuesve. Partia Demokratike ka marrë me mijëra denoncime që demaskojnë këtë skemë, por ajo që zbulon më mirë fytyrën e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, është video që do të ndiqni pas pak. Është një skuadër kriminale, me njerëz të Partisë Socialiste dhe të punësuar të Bashkisë së Tiranës, që kryejnë krimin penal të blerjes së votës dhe krimin moral të korruptimit të shpirtit të një vajze të re. Për fat të keq, vajza duket që e ka për herë të parë një operacion të tillë kriminal. Video tregon qartë me zë dhe me figurë dhënien e parave për blerjen e votës nga një grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste dhe i Bashkisë së Tiranës. Partia Demokratike ka mundur të identifikojë deri tani se njëri nga personat I përfshirë në këtë krim zgjedhor është Edmond Hajro, Komisioner i PS tek njësia nr 9 Tiranë, pranë kopshtit numër 3. Ai është administrator i një pallati, i emëruar nga Bashkia e Tiranës. Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë! Mbajeni mend mirë këtë video! Kjo është fytyra kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt, që blejnë votues për pushtetin e tyre personal me para të krimit, me para të korrupsionit që ua kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj! Prandaj, gjëja më e mirë që mund të bëni sot është ta bojkotoni Edi Ramën! Bëni rezistencë! Bashkoheni me protestat e qytetarëve të tjerë kundër votimeve kriminale, të paligjshme, kundër blerjes së të rinjve, në vend të shkollimit apo punësimit të tyre dinjtoz!”, deklaroi dje nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Edi Paloka.

Monika Kryemadhi: 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste të Ramës

Për kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dje 85% e shqiptarëve refuzuan të ishin pjesë e votimeve njëpartiake. Duke e cilësuar një fitore, Kryemadhi deklaroi dje pas mbylljes së votimeve moniste që organizoi Edi Rama, se pjesëmarrja ektremisht e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri, si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës.

“85% e shqiptarëve refuzuan sot votimet moniste të Edi Ramës. Refuzuan premtimet boshe. Refuzuan Ramën. Kjo e sotmja është një fitore për demokracinë shqiptare! Pjesëmarrja ekstremisht e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. P.S: Sado që ti mbushësh kutitë, shqiptarët të refuzuan. Bye bye Edi”, u shpreh dje në reagimin e saj, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Vasili: Askush mbi dhe nuk vendos dot më kurrë monizmin në Shqipëri

Pas shifrave tejet të ulëta të pjesëmarrësve në votimet e ditës së djeshme, do të reagonte edhe Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili. Vasili u shpreh se populli foli qartë dhe se shqiptarët nuk e shkëmbejnë më asgjë pluralizmin e fituar me gjak e sakrifica.

“Populli foli qartë e fortë, askush mbi dhe nuk vendos dot më kurrë monizmin në Shqipëri! Shqiptarët nuk e shkëmbejnë me asgjë Pluralizmin e fituar me gjak e sakrifica. Shqiptarët europiane bojkotuan në mënyrë plebishitare armikun e lirive, vulgaritetin e banalitetin e sankylotit Edi Rama”, deklaroi dje në reagimin e tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Basha: Ndryshimi do të vijë shpejt, 30 qershori e ka bërë të pashmangshëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në deklaratën e parë të bërë pas votimeve të 30 qershorit deklaroi se shqiptarët e refuzuan qeverisjen e “Ramës”. Shqiptarët, tha ai, braktisën në masë maskaradën e votimit të Edi Ramën, të cilin e bojkotuan edhe socialistët. Kreu i PD-së tha se votimet ishin moniste dhe me presione të forta ndaj administratës, duke i kërcënuar me bukën e gojës, por qytetarët treguan dinjitet.

“Sot shqiptarët braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit. Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, tha ai.

Presioni ndaj administratës

Kryedemokrati tha se vota e djeshme, ishte votë e sektorit publik dhe nën terrorin e bukës së gojës.

“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vërtetuar pjesëmarrjen e tyre në votim. Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre. Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës. Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”, tha Basha.

Krimi elektoral

Kreu i PD-së deklaroi se 30 qershori provoi se me Edi Ramën në krye, në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kjo vegël e verbër e Edi Ramës, shkeli çdo nen të Kushtetutës dhe çdo gërmë të ligjit. Kjo tregon se regjimi i Edi Ramës manipulon zgjedhjet, edhe kur shkon në votime i vetëm dhe kontrollon çdo gjë i vetëm. Rezultati i sotëm provon çdo akuzë që ne kemi bërë kundër Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Sot, u provua se me Edi Ramën në krye. në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të falënderoj sot të gjithë shqiptaret që braktisën masivisht dhe refuzuan me përbuzje farsën dhe regjimin e Edi Ramës. Ju e bëtë këtë për veten tuaj, për familjen tuaj për fëmijët tuaj. Ju e bëtë këtë për lirinë tuaj. Për Shqipërinë tonë dhe për demokracinë e vërtetë. Ju e refuzuat farsën kriminale dhe të paligjshme që kishte për qëllim të vetëm çimentimin e pushtetit të marrë përdhunshëm dhe që do të shkatërronte themelet e shoqërisë. Ju e kuptuat se farsa e sotme vetëm sa do ta thellonte edhe me shumë padrejtësinë, vjedhjen, shtypjen, mjerimin dhe varfërinë tuaj”, tha Basha.

Duke marrë shkas nga refuzimi paqësor i 30 qershorit, Basha tha se dje u tregua forca e një populli të bashkuar përtej ndarjeve partiake.

“Sot kumboi mesazhi i qartë i shqiptarëve: Me këtë refuzim paqësor por të vendosur ne kemi shënuar një kthesë historike, një monument kombëtar të qëndresës dhe qytetarisë. Të gjithë bashkë në këtë manifestim, më të madhin kombëtar të lirisë, ndonëse të shpërndarë anembanë Shqipërisë, nga fshatrat më të largëta deri në sheshet e qyteteve tona, me refuzimin që i bëtë kësaj farse, ju treguat forcën e një populli të bashkuar përtej përkatësive partiake, në betejë për Shqipërinë, përballë një regjimi në betejë për pushtetin personal të Edi Ramës. Kjo farsë është nul, ky proces është antikushtetues dhe antiligjor. Ju jam mirënjohës që ju përgjigjët thirrjes time për të mos rënë pre e skenarëve të dhunës. E refuzuat me tallje dhe përqeshje epike, siç e meritonte farsa e sotme. Sot është një ditë domethënëse për kombin tone. Sot është dita kur ne të gjithë jemi sjellë si europianë të denjë dhe kemi refuzuar autokratin e korruptuar lindor Edi Rama dhe bandën e tij. Ndaj dua sot të falënderoj jo vetëm demokratët dhe mbeshtetësit e opozitës por edhe votuesit tradicionalë socialistë që vendosën të shprehin me mospjesëmarrje në këtë farsë refuzimin e triumfit të krimit mbi Shqipërinë”, deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha.

Ndryshimi i pashmangshëm

Basha deklaroi ndryshimi do të vijë shpejt, pasi e djeshmja e ka bërë të pashmangshëm. “Vullneti i qartë i shqiptarëve sot ka qenë braktisja e votimeve të paligjshme moniste. Ky vullnet është i vetmi vullnet që ka rëndësi për zgjedhje. Detyra jonë mbetet që të garantojmë që ky vullnet, vullneti juaj, do të respektohet. Së fundmi dua t’u drejtohem të gjithë shqiptarëve që nuk votuan dhe të gjithë atyre që duan ndryshim: Ky ndryshim do të vijë shpejt. Do të jetë një ndryshim i thellë dhe i vërtetë. Do të jetë një ndryshim për shqiptarët e thjeshtë dhe do të përmirësojë direkt jetën tuaj. E sotmja e ka bërë të pashmangshëm ndryshimin”, deklaroi Basha.