Sot  30 qershori, 3.5 milionë shqiptarë thirren në votim

Për herë të parë pas rrëzimit të diktaturës, sot më 30 qershor do të mbahen zgjedhje vendore ku në 31 bashki do të ketë vetëm një kandidat. Për herë të parë që prej 1990 në Shqipëri zgjedhjet do të realizohen pa pjesëmarrjen e opozitës e cila ka djegur mandatet duke mos qenë pjesë e parlamentit dhe nuk u regjistrua në zgjedhjet vendore pa plotësuar kushtin e largimit të kryeministrit Edi Rama dhe ndëshkimin e atyre që vodhën votat.

3.5 milionë shqiptarë në votim – Sipas shifrave të Ministrisë së Brendshme janë 3.5 milionë shqiptarë që kanë të drejtën e votës. Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00- 19:00. Sipas të dhënave zyrtare janë 132.788 zgjedhës votojnë për herë të parë; ndërsa sa i përket gjinisë, 51 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49 % femra. Në të gjithë vendin do të hapen 5.417 Qendra Votimi të cilat do të administrohen nga 90 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

30 qershori dhe 13 tetori – Nga ana tjetër presidenti Ilir Meta zhdekretoi datën 30 qershor si datë të zgjedhjeve vendore dhe firmosi një datë të re 13 tetor. Por për ndërkombëtarët 30 qershori është data  zgjedhjeve vendore dhe bëjnë thirrje që ato të zhvillohen në mënyrë transparente. Gjithashtu nxitin udhëheqësit politikë të refuzojnë çdo lloj dhune apo përpjekje për të penguar procesin zgjedhor apo edhe të drejtën e çdo qytetari për të votuar. Një mesazh i tillë është përcjellë si nga ambasada amerikane, ajo e BE-së  por dhe e OSBE-së.

KQZ vijon punën – Ndërkohë KQZ ka vijuar punën për organizimin  këtij procesi zgjedhor dhe siguruar mbarëvajtjen e shpërndarjes së materialeve zgjedhore. Por në bashkitë e djathta, si  Shkodër, Mallakastër dhe Pogradec ka pasur problematika, ku janë mbyllur shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, në vijimësi të qëndrimit se ata do të zbatojnë dekretin e Presidentit që e ka anuluar procesin. Por këto veprime u kushtoi arrestimin 4 punonjësve të bashkive Pogradec e Mallakastër, ndërsa nënkryetari i kësaj njësie vendore u shpall në kërkim. Ndërkohë në bashkitë e majta nuk ka pasur incidente.

/Koha Jonë