Kush është njeriu që po zhvatë pozitën e ambasadorit në Gjenevë

Zyra Kombëtare e Auditorit ka publikuar të gjeturat për ministrinë e Punëve të Jashtme të udhëhequr nga ministri, Behgjet Pacolli.

Auditori ka gjetur se një ambasador i cili ishte emëruar me datën 28.06.2013 përmes Dekretit të Presidentit, vazhdon të ushtroj detyrën e Ambasadorit dhe të marrë pagë në të njëjtin mision, edhe pse nuk ka një akt më të cilin do të vazhdohej kohëzgjatja e qëndrimit në atë mision.

Paga e marrë nga Ambasadori në fjalë në vitin 2018 është 53 mijë e 21 euro.

E bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 22, përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhë katër vjeçare, ose siç kërkohet ndryshe për të përmbushur nevojat e Ministrisë.

Sipas të njëjtit ligj, zgjatja e mundshme e mandatit është në diskrecion të Ministrit. Për këtë çështje, lajmi.net ka pyetur edhe në ministrinë e Punëve të Jashtme.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Ramadan Avdiu i cili sipas tij është emëruar me dekret të presidentit për të udhëhequr misionin e Kosovës në Gjenevë.

“Këtu bëhet fjalë për Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Z. Ramadan Avdiu, i cili është i emëruar me dekret të presidentit për të udhëhequr misionin e Republikës së Kosovës në Gjenevë. Lidhur me këtë, dëshiroj të ju sqaroj që as ligji për Shërbimin e Jashtëm dhe as ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimit Diplomatik, nuk kanë specifikuar se sa është mandati i shefit të misionit (ambasadorit), në një mision përkatës, sidomos në rastet kur emërohet me dekret të presidentit”, ka thënë Zyberaj për lajmi.net.

Sipas tij, ministria e Punëve të Jashtme e ka njoftuar vazhdimisht presidencën kur ka pasur raste të tilla.

Ai thotë se dekreti për emërim i presidentit, nuk e adreson çështjen e mandatit të ambasadorit.

“Po ashtu, dekreti për emërim i presidentit të Republikës së Kosovës nuk e adreson çështjen e mandatit të ambasadorit me rastin e emërimit të tij/saj, sikur edhe në këtë rast. Ministria e Punëve të Jashtme e ka njoftuar presidencën në vazhdimësi kur ka pasur raste të tilla, sikur edhe në këtë rast. Dua të ju sqaroj se kjo gjetje ka qenë e vazhdueshme dhe jo vetëm kësaj radhe. Kjo është kështu për arsye se Ligji dhe Aktet nënligjore (rregullorja për shërbimin e jashtëm) kanë lënë vakum në këtë aspekt”, ka thënë ai.

Zyberaj ka sqaruar se MPJ-ja nuk vepron për tërheqjen e ndonjë ambasadori nëse nuk ka dekret për ta bërë një gjë të tillë.

“Ministria e Punëve të Jashtme, sikur edhe në këtë rast nuk vepron, nëse për një ambasador, nuk ka dekret për tërheqjen e tij (në rastin konkret nuk ka dekret për tërheqje nga presidenti). Ky vakum ligjor është adresuar në projektligjin e ri për shërbimin e jashtëm, i cili është dorëzuar në kuvend. Në rast të pamundësisë që kjo të bëhet me ligj të ri, Ministri i Punëve të Jashtme ka krijuar grupin punues për hartimin e rregullores së re për Shërbimin e Jashtëm, ku ndër të tjera do të rregullohet edhe kjo çështje”, kanë sqaruar nga ministria e Punëve të Jashtme.

Lajmi.net kishte raportuar edhe për parregullsitë e tjera të evidentuara nga Auditori në ministrinë e Punëve të Jashtme, ku përmendeshin edhe udhëtimet zyrtare, për shpenzimet e të cilave nuk kishte asnjë dëshmi me faturë.

/Marre nga Balkanweb