STATISTIKAT/ 4 shqiptarët më të spikatur sezonin e fundit në futbollin europian

Golat, asistent dhe mospësimi i asnjë goli gjatë një ndeshje futbolli, janë tri komponentët më të rëndësishëm për të cilët trajnerët punojnë shumë gjatë javë. Duke qenë se jemi në periudhën e verës dhe sezonet janë mbyllur për ekipet e lojtarëve të kombëtares sonë, është periudha më e mirë për të bërë një bilanc me tri statistikat që përmendëm edhe më lart.

 

Golashënuesi më i mirë – Kur flasim për këtë komponent shumë të rëndësishëm në një ndeshje, padyshim mendimi i parë na shkon te sulmuesit si Sadiku, Balaj apo edhe Cikalleshi, por në fakt asnjëri prej tyre nuk kanë marrëdhënie të mira me golin në sezonin e fundit. Dy ishin golashënuesit më të mirë: Taulant Seferi dhe Kristi Qose me nga 9 gola të shënuar. Të dy luajnë në rolin e mesfushorit dhe e njohin mjaft mirë rrugën e rrjetës.

Seferi është pjesë e Winterthur, në kategorinë e dytë në Zvicër, duke realizuar në çdo 265 minuta. Ai është pjesë e kombëtares Shpresa, teksa është në pritje të një ftese nga Edy Reja. Qose ndërkohë e ka arritur këtë objektiv, teksa u thirr fillimisht nga Panucci dhe më pas edhe nga strategu i ri i kombëtares. Ai është pjesë e kampionatit sllovak, me ekipin e Ruzomberok, duke shënuar në çdo 257 minuta. Nga lojtarët që kanë qenë pjesë e grumbullimit të fundit te kuqezinjtë tanë, në listën e shënuesve më të mirë është Uzuni me 7 gola, me Lokomotivën e Zagrebit.

Asistuesi më i mirë- Në këtë rol, Ledian Memushaj duket se nuk ka rivalë. Mesfushori vlonjat në sezonin e fundit ka luajtur një rol kyç te skuadra e Pescarës në Seria B, duke dhuruar plotë 10 asiste. 32-vjeçari jo vetëm që ka shërbyer shumë për shokët e tij, por edhe ka shënuar dy gola fantastikë. Më pas në listën e asistuesve më të mirë vijnë Lenjani dhe Llullaku me nga 5 asist, të ndjekur nga Emanuele Ndoj.

Portieri më i “paprekur”-  Nëse sulmuesit vlerësohen nga golat e shënuar, portierët mund të krenohen me numrin e ndeshjeve që e mbajnë portën të “paprekur” nga golat. Në këtë aspekt, Thomas Strakosha është pa rivalë, pasi edhe pse nuk ka një mbrojtje aspak të një niveli të lartë, ka arritur që në 10 ndeshje të mos pësojë asnjë gol. “Gardiani” i talentuar i Lazios, pëson gol në çdo 88 minuta, një mesatare aspak për t’u vlerësuar, por faji nuk është i gjithi i tiji. Hidi në 7 ndeshje e ka mbajtur portën e paprekur, Hoxha në 6, ndërkohë që Berisha edhe pse ka luajtur vetëm një gjysmësezoni, në 5 ndeshje nuk e ka nxjerrë asnjëherë topin nga rrjeta. /Rozalb Lika-Koha Jone/