Dekreti, Nënkryetarja e LSI për ”KJ”: Shansi i fundit për PS, opozita…

Nga: Redjon Shtylla

Për nënkryetaren e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, dekreti i ri i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për 13 tetorin si datën e re për zgjedhjet lokale, është shanci i fundit për stabilitet dhe rivendosje të paqes sociale. Në një prononcim për “Koha Jonë”, e pyetur sesi e komenton këtë dekret, ajo thotë se ky është shansi i fundit për PS-në por jo shans që shkon për Ramën. “Dita e re e zgjedhjeve e dekretuar sot nga Presidenti i Republikës është shansi i fundit që i jepet vendit për të gjetur rrugën drejt stabilizimit të demokracisë dhe rivendosjes së paqes sociale. Është shansi i fundit që i jepet jo më Ramës por Partisë Socialiste për të reflektuar dhe për tu larguar nga paligjshmëria”.

Mehmetaj ka bërë dallimin mes Ramës dhe Metës. “Sot Presidenti i Republikës na bëri që të shohim më qartë dallimin ndërmjet një burri shteti dhe një burreci pushteti. Ky i pari ka në interes të parë vendin dhe të ardhmen europiane, ndërsa i dyti karrigen dhe mirëqënien e tij personale. Sipas Kushtetutës është Presidenti ai që nëpërmjet dekretit vendos datën e zgjedhjeve, ndaj zgjedhjet lokale do të jenë në datën 13 tetor. Kjo është e vetmja datë që i bën ato legjitime”.

E pyetur sesi e komenton këmbënguljen e qeverisë për të zhvilluar zgjedhje më 30 qershor, Mehmetaj nënvizon se kokëfortësia dhe arroganca e Ramës dëshmojnë se ai është thellësisht i zhytur në llumin e krimit dhe korrupsionit që i ofroi Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes së tij. “Përtej çmendurisë së Ramës, dekreti i sotëm hap dritare të reja komunikimi dhe dialogu në të mirë të vendit dhe ne si klasë politike duhet ti shfrytëzojmë këto hapësira që krijohen. Përgjigjet e Ramës vetëm shtojnë gabimet e tija. Kokëfortësia dhe arroganca e Ramës dëshmojnë se ai është thellësisht i zhytur në llumin e krimit dhe korrupsionit që i ofroi Shqipërisë gjatë viteve të qeverisjes së tij”.

Çfarë do të bëjë opozita? Nënkryetarja e LSI-së, përsërit qëndrimin e qartë të opozitës se nuk do të hedh asnjë hap pas për rrugën që ka nisur për demokraci dhe zhvillim. “Frika ndaj ndëshikimit e ka shtyrë Ramën drejt çmendurisë politike, drejt shkatërrimit të institucioneve dhe pushtimit të tyre me kërcënime të fortësh. Pavarësisht reagimit të Ramës, opozita është e vendosur të ndjekë rrugën që ka nisur për demokraci dhe zhvillim”.