Vokshi: Rama, Manja e Ahmetaj, të futen në listën e zezë nga ambasadat

“Opozita nuk ka ndryshuar qëndrim në lidhje me 30 qershorin. Ne nuk e njohim këtë datë dhe këtë po mundohemi ta bëjmë të qartë. E Gjithë shoqëria po jeton në absurd”. Kështu u shpreh ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, e ftuar në “Dita Jonë” teksa foli për krizën politike dhe për datën 30 qershor, kaq të diskutuar, për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve.

“Kemi krizë institucionale. Institucione që kalojnë kompetencat e tyre. Rasti i fundit, KQZ, me urdhër partiak, që merr kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Rama u mundua që mund të përfitonte në mënyrë indirekte nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Ne po vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë për të respektuar dekretin e presidentit si kreu i shtetit. Nëse Edi Rama do të bëjë votime, se aty vetëm votime mund të ketë”, tha Vokshi.

Përgjimet e “Bild”

“Nëse ky skandal me publikimin e përgjimeve, Prokuroria ka 3 vite që i mban dhe nuk nxjerr përfundimet. Mënyra se si përfshihen bandat kriminale në procese zgjedhore është kriminale. Mënyra se si përfshihen mësuesit, mënyra se si ushtrohet presion nga deputetë e ministra, është kriminale. Unë kam pasur për të kontrolluar 5 qendra votimi në Maqellarë. Ditën e votimit, në çdo qendër votimi që unë shkoja kishte banda kriminale. Njerëz që sapo kishin dalë nga burgu që ishin nxjerrë posaçërisht për votime. Unë isha vetëm me një mikeshën time. Ajo që unë dhe PD propozon është që gjithkush që ka bërë krim elektoral të dënohet. Mazhoranca e ka në dorë këtë dhe nuk po e bën këtë gjë. Të futen në listë të zezë nga ambasadat, Ulsi Manja, Qefalia, Ahmetajn, Vangjush Dakon, Edi Ramën”, u shpreh Vokshi.