E mërkurë, Tetor 16, 2019
Ballina Forum Ndërkombëtarët po mbështesin somnambul rrëshqitjen e Shqipërisë drejt autokracisë

Ndërkombëtarët po mbështesin somnambul rrëshqitjen e Shqipërisë drejt autokracisë

Me një shqetësim gjithnjë e më të madh kam parë se si në javët e fundit diplomatët në Tiranë nuk kanë arritur t’i vlerësojnë rreziqet e mëdha të krizës aktuale kushtetuese në Shqipëri.Megjithëse mediat e huaja botuan prova të shumta dhe tronditëse të blerjes së votës nga Partia Socialiste dhe të shtrirjes së gjerë të manipulimit të zgjedhjeve të viteve 2016 dhe 2017, këta diplomatë nuk kanë bërë asnjë koment apo denoncim të vetëm.

Pavarësisht se është e qartë se mbajtja e zgjedhjeve lokale, në thelb me një parti të vetme, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një regjim njëpartiak në Shqipëri – një regjim pikërisht i asaj partie që ka bashkëpunuar hapur me kriminelët, vrasësit dhe trafikantët në vjedhjen e zgjedhjeve, – sërish diplomatët mbështesin fuqimisht mbajtjen e zgjedhjeve.

Duke zgjedhur të mos denoncojnë ato që duken qartë se janë krime “peshqish të mëdhenj” – nëse do të flisnim me gjuhën e ish-Ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu, – dhe duke mbështetur zgjedhje vendore “imagjinare”, të cilat kanë vendosur t’i bëjnë Parlamenti, ku Partia Socialiste ka shumicën absolute, Komisioni Qendror Zgjedhor pjesërisht funksional, ku Partia Socialiste ka shumicën, dhe Kolegji Zgjedhorpjesërisht funksional, në të cilin vetëm njëri nga gjyqtarët ka kaluar fazën e parë të vetingut dhe është dërguar në apel, diplomatët ndërkombëtarë po tregojnë se janë duke ecur somnambul drejt një autokracie.

Autokraci, sepse kështu quhet një sistem politik në të cilin një parti e vetme kontrollon parlamentin, të gjitha nivelet e qeverisjes, prokurorinë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkohë që e ka lënë pa pavarësi gjyqësorin. Të gjitha këto ndodhin teksa Kryetar Kuvendi, posti i dytë politik më i pushtetshëm në Shqipëri, është një ish-ministër socialist i regjimit të shkuar komunist, i cili kishte përgjegjësi për vrasjen e protestuesve pro demokracisë.

Në vend që të thonë se qeveria aktuale e ka humbur gjithë besueshmërinë se mund të mbajë zgjedhje të lira dhe demokratike, dhe të deklarojnë haptazi se Edi Rama dhe partia e tij janë një kërcënim serioz ndaj vlerave themelore që çmon Bashkimi Europian, ambasadori i BE-së Luigi Soreca është përpjekur ta gjejë shpëtimin te krijimi i Gjykatës Kushtetuese “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Kjo “sa më shpejt të jetë e mundur” duhet të ngjallë shqetësim te cilido që ka dijeni për ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësisë. Sepse “sa më shpejt të jetë e mundur” do të thotë: pa kaluar vetingun. Siç kemi shkruar edhe më parë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), i cili është i paplotë dhe me anëtarë që ende nuk e kanë kaluar vetingun, ka vendosur (në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin e Vetingut) që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese mund të zgjidhen pa e kaluar vetingun. Nuk ka dyshim që këtë ata e kanë vendosur në bazë të këshillave nga “misioni i ndihmës juridike” EURALIUS, i sponsorizuar nga BE-ja, ekspertët e të cilit janë vetë kandidatë për në Gjykatën Kushtetuese.

Në të njëjtën kohë, institucionet që duhet ta zbatojnë vetingun i kanë rënë alarmit, edhe njëherë tjetër, se ata nuk paguhen për punën jashtë orarit, se kanë staf të pamjaftueshëm, gjë që ka ardhur nga shkurtimet e qëllimshme të buxhetit nga qeveria Rama. Nën presion, pa staf, dhe pa buxhet të mjaftueshëm – këto janë kushtet ideale për korrupsion dhe për një proces me të meta. Institucionet e vetingut duhet të kishin qenë gjykatat me më tepër buxhet dhe me pajisjet më të mira në Shqipëri, nëse vërtetë do të donin që reforma në drejtësi të arrinte rezultate, të cilat do ta shpëtonin sistemin e drejtësisë.

Pa kaluar vetingun siç duhet, mundësitë janë të mëdha që qeveria socialiste ta mbushë Gjykatën e re Kushtetuese me një grup gjyqtarësh të nënshtruar që do të miratojnë shkarkimin e Presidentit Ilir Meta dhe të gjitha ligjet antikushtetuese të miratuara nga Partia Socialiste në vitet e fundit. Dhe me Gjykatën Kushtetuese në xhep, Edi Rama do të bëhet de facto një autokrat.

Çështje si këto janë të vlefshme edhe për OSBE-në. Për sa kohë që OSBE-ja qëndron në Shqipëri për të “vëzhguar” zgjedhjet që zyrtarisht nuk kanë më vlefshmëri ligjore, ajo mbështet qeverinë në pretendimet e saj se zgjedhjet janë legjitime dhe se, rrjedhimisht, Presidenti Meta duhet të shkarkohet. Për shembull, së fundmi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili e ka hedhur poshtë dekretin e Presidentit, miratoi 150 vëzhgues zgjedhorë të OSBE-së. Në vend që të tërhiqet nga Shqipëria, me akte si këto OSBE-ja mbështet në mënyrë aktive një qeveri që ka kryer vjedhje masive në zgjedhjet e mëparshme, mu para syve të OSBE-së.

Natyrisht që për situatën e tanishme nuk janë për t’u bërë më faj vetëm ndërkombëratët. Bashkë me ta, përgjegjës që po ia bëjnë të mundur Kryeministrit Rama që të kapë të gjitha pushtetet është edhe i gjithë sistemi politik shqiptar, i cili ka dështuar në refomën zgjedhore dhe ka pranuar një refomë në drejtësi, e cila ishte plot të meta që në fillimin e saj.

Për shkak të vlerësimit të tyre naiv dhe qesharak ndaj gjendjes aktuale politike, mungesës së skajshme të vizionit, përkrahjes absurde dhe të palogjikshme ndaj qeverisë aktuale dhe heshtjes përballë krimeve më të këqija kundër sundimit të ligjit dhe vlerave demokratike, burokratët ndërkombëtarë do të humbasin çdo pikë besueshmërie që u ka mbetur. Së shpejti atyre nuk do t’u mjaftojë që të valëvisin shifra të pakuptimta si “93% e shqiptarëve mbështesin integrimin në BE”, por do t’u duhet të përballen me dëmin e vërtetë dhe ndoshta të pakthyeshëm që i kanë bërë reputacionit të tyre dhe të ardhmes së Shqipërisë në Evropë.

Exit.al

WP Twitter Auto Publish Powered By : XYZScripts.com