Lojërat e pushtetit dhe grushtet e shtetit, nga Evropa në Afrikë, nga Azia në Amerikën e Jugut

Lufta e Dytë Botërore nuk kishte përfunduar ende, dhe Aleatët kishin filluar tashmë të mendonin se si ta ndanin botën.

Kështu, ndërsa në vitin 1944 amerikanët (me anglezët, francezët, kanadezët e kështu me radhë…) merrnin Evropën perëndimore, Ushtria e Kuqe vendosej në atë Lindore. Paslufta do të zgjaste plot 45 vite, gjatë të cilëve SHBA dhe BRSS, që u shndërruan në të vetmet fuqi globale, u përplasën duke kundërvënë edhe dy ideologji të papajtueshme: traditën demokratike perëndimore dhe liberizmin, nga njëra anë, dhe komunizmin nga ana tjetër.

Dy blloqe

Kundërvënia u bë e dukshme në vitin 1947, kur Sekretari i Shtetit i SHBA George Marshall, nisi një plan ndihmash ekonomike për të gjithë vendet evropiane: ata të Evropës Perëndimore pranuan, të Evropës Lindore jo. Evropa ishte ndarë më dysh. Po atë vit, Bernard Baruch, këshilltar i presidentit amerikan Harry Truman pagëzoi emrin “Lufta e Ftohtë”.

Që atëherë, tensionet mes blloqeve u përhapën në të gjithë planetin, duke alternuar momente krizash (si Lufta e Koresë e 1950-1953, kriza e Kubës në 1962 dhe pushtimi sovjetik i Afganistanit në 1979) me momente çtensionimi (si në vitet Shtatëdhjetë, kur u diskutuan shumë marrëveshje për çarmatimin). Gjithçka përfundoi kur u shemb Muri i Berlinit (1989), Gjermania u ribashkua (1990) dhe u shemb Bashkimi Sovjetik (1991).

Pika të nxehta

Në pothuaj gjysmë shekulli antagonizëm, mes dy superfuqive nuk pati asnjëherë një përplasje të drejtpërdrejtë: do të kish qenë shumë e rrezikshme. E gjithë Lufta e Ftohtë pa një seri aleancash, grushte shteti dhe luftëra “me prokurë”, gjatë të cilave dy blloqet u kundërvunë në mënyrë indirekte, duke transformuar gjeografinë tokësore në një fushë gjigande shahu. Ja se cilët ishin vendet dhe periudhat më të rëndësishme. Bota.al sjell një informacion me të gjitha pikat e konfliktit:

EVROPA PERENDIMORE

Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, fati i Evropës u vendos në konferencat e Jaltës dhe Potsdamit, të dyja në vitin 1945.

GREQIA (1946-1949) – Që ndarja në dy sfera ishte e pashmangshme, kjo u bë e qartë prej luftës civile në Greqi. Nga 1946 deri në 1949 vendi u përfshi nga ndryshimet: nga njëra anë qeveria monarkiste (mbështetur fillimisht nga Britania e Madhe dhe më pas nga SHBA), nga ana tjetër guerilasit komunistë (mbështetur fillimisht nga Jugosllavia dhe më pas nga BRSS). Në fund, më të paktë në njerëz dhe mjete, komunistët u tërhoqën.

BLLOKU PERENDIMOR. Operacioni themelor i kryer në Evropë ishte megjithatë plani Erp (European Recovery Program) që parashikonte ndihma në vlerë 13 miliard dollarë për shtetet e shkatërruar nga lufta. E propozoi gjenerali George Marshall, Sekretar Shteti i SHBA me një qëllim: “të arrihej stabiliteti politik në kontinent, përmes stabilitetit ekonomik”.

Asnjëherë i parë prej opinionit publik amerikan (fjalimi që e shpalli u transmetua vetëm në Evropë), plani ishte një kurth politik: iu propozua edhe vendeve të Lindjes, me kushtin që të pranonin logjikën ekonomike perëndimore. Natyrisht që u refuzua.

GJERMANIA (1948-1949) – Zemra e përplasjes mes SHBA dhe BRSS në Evropë ishte gjithësesi Gjermania. Në vitin 1949, zonat e kontrolluara nga fuqitë fitimtare u transformuan në dy shtete të kundërvënë mes tyre: në perëndim Gjermania federale me kryeqytet Bonnin, dhe në lindja Gjermania demokratike me kryeqytet Berlinin. Vija ndarëse mes dy Gjermanive ishte kufiri i vërtetë i Evropës. Pikërisht nga çështja gjermane, për dyzetë vite lindën drithërima dhe shpresa: nga njëra anë, për shembull anëtarësimi i Gjermanisë perëndimore në NATO dhe armatimi i saj shtyu vendet e Lindjes që të krijonin Paktin e Varshavës (1955); por ishte edhe Ostpolitika e kancelarit gjerman Villy Brandt, që luajti një rol themelor në politikën e çtensionimit të viteve shtatëdhjetë.

EVROPA LINDORE

Shprehja “Perdja e hekurt” për të treguar kufirin e Evropës Lindore, u përdor për herë të parë në vitin 1945 nga ministri nazist Goebbels, por ishte Churchilli që e bëri të famshme, kur në vitin 1946 tha: “Nga Balltiku deri në Trieste në Adriatik, një perde e hekurt është ngritur në të gjithë kontinentin”.

BLLOKU LINDOR – Kundërvënia shpërtheu në vitin 1947, kur Stalini mblodhi një konferencë që vendet e Lindjes të refuzonin planin Marshall: Polonia dhe Çekosllovakia donin të pranonin, por nuk mundën. Dy vjet më pas, lindi alternativa ndaj planit Marshall: Comecon (Këshilli për ndihmën e ndërsjellë ekonomike), aktiv nga viti 1949 deri në 1991.

JUGOSLLAVIA (1955) – Edhe Jugosllavia e refuzoi Planin Marshall por ruajti pavarësinë nga Stalini. E udhëhequr nga Marshalli Josip Broz Tito, ajo ishte çliruar vetë prej nazifashistëve dhe me modelin e vet të “komunizmit kombëtar” kishte pretenduar gjithmonë autonominë e vet, deri kur u bë në vitin 1955, themeluese e Lëvizjes së vendeve të pareshtuar me asnjërën palë.

BUDAPEST (1956) – Dominimi i BRSS në Evropën lindore nuk u vu asnjëherë në diskutim. Madje në vitin 1968 u theksua fort nga kryeministri sovjetik Leonid Brezhnjev: “Kur forcat armiqësore ndaj socializmit përpiqen të shtyjnë vendet socialiste drejt kapitalizmit, ky nuk është vetëm problem i vendit në fjalë, por një problem i përbashkët dhe një shqetësim për të gjithë”. Koherente me këtë parim, Armata e Kuqe kishte ndërhyrë tashmë në Gjermani në vitin 1953 për të zbutur revoltat e punëtorëve, dhe e bëri sërish në Hungari në vitin 1956, për të shtypur një kryengritje antisovjetike.

PRAGA (1968) – Ndërhyri edhe në Çekosllovaki kundër “socializmit me fytyrë njerëzore” të Alexander Dubcek, i cili ishte zgjedhur në krye të Partisë Komuniste çekosllovake në 5 janar 1968. Dubcek ia kish dalë të niste një stinë reformiste që u bë e njohur si “Pranvera e Pragës”, e cila vazhdoi deri në shtypjen e fortë, që ndodhi në 20 gusht të po atij viti.

POLONI (1981) – Ndryshe shkuan gjërat në Poloni në vitet Tetëdhjetë: këtu forca e Solidarnoscit, lëvizja politiko sindikaliste e themeluar nga Lech Valesa dhe mbështetur nga Kisha, po përgatiste në fakt rikthimin në një demokraci parlamentare kur, në vitin 1981 gjenerali Jaruzelski mori pushtetin përmes një grushti shteti. Situata u zgjidh në vitin 1990, vit kur Valesa u zgjodh president.

AZIA

Nga viti 1947 deri në 1989 në Evropë, që ishte vendi me përqëndrim maksimal armësh, dy blloqet nuk shkëmbyen as edhe një gjyle topi. Ndërsa në Azi përplasjet ishin me bollëk, edhe pse në mënyrë indirekte, nëpërmjet “luftërave me prokurë”, si ajo e Vietnamit.

KOREA (1950-1953) – Një prej shembujve të parë të luftërave me prokurë ishte Lufta e Koresë, një episod kyç i Luftës së Ftohtë. Në fundin e Luftës së Dytë Botërore, vendi ishte ndarë në paralelin 38: në veri, trupat ruse që kishin luftuar në Japoni, në jug ato amerikane.

Lufta nisi në 25 qershor 1950, kur Republika Demokratike Popullore e Koresë (në veri) e mbështetur prej sovjetikëve, pushtoi pothuaj të gjithië territorin e Koresë së Jugut. Dhe zgjati deri në vitin 1953, me situatat që ndryshonin” një kundërsulm i amerikanëve çoi penetrimin thellë në Korenë e Veriut, por duke provokuar ndërhyrjen kineze, me një ortek prej 500 mijë ushtarësh, që e zhvendosi sërish luftën në jug. Në fund konflikti u vendos edhe falë superioritetit ajror amerikan. Armëpushimi i 1953 rivendosi situatën në Paralelin 38.

IRAN (1953) – Në po atë vit, në Iran shërbimet e fshehta britanike dhe CIA përmbysën qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Mohammad Mossadeq (i cili po shtetëzonte burimet e naftës dhe konsiderohej rrezikshëm i afërt me BRSS) dhe e zëvendësuan me Reza Pahlavin.

KINE (1949-1991) – Ashtu si çështja gjermane kushtëzoi Luftën e Ftohtë në Evropë, ajo kineze e bëri në Azi. Gjithçka nisi në 1 tetor të vitit 1949, kur Mao Ce Duni shpalli Republikën Popullore pasi kishte mposhtur (me një ndihmë modeste nga BRSS), nacionalistët e Çian Kai Shisë (të furnizuar më së miri nga SHBA), të cilët u tërhoqën në ishullin Formosa. Më pas pati tensione, luftime dhe bombardime (1954 dhe 1958), por forcat amerikane, rrallëherë hynë në kontakt me forcat komuniste. Duke filluar nga viti 1960, Mao kuptoi se Kina nuk mund të përballej me rusët dhe amerikanët njëkohësisht, dhe zgjodhi shkrirjen me këta të fundit. Kështu në vitin 1972, Presidenti i SHBA Richard Nixon vizitoi Pekinin: ishte një takim, që ndryshoi rrënjësisht ekuilibrat politikë të planetit.

AFGANISTAN (1979-1989) – Afganistani ishte për BRSS, ekuivalenti i Vietnamit për SHBA. Në origjinë ishte, një grusht shteti i vitit 1978, i Partisë Demokratike Popullore afgane (PdpA) në dëm të presidentit Mohammed Daoud Khan. PdpA vuri menjëherë në zbatim një program të modernizimit të vendit, shumë i ngjashëm me atë që sot e mbështet perëndimi. Por partia mbështetej nga BRSS dhe SHBA (bashkë me aleatët) armatosën rezistencën e fiseve islamike, ku përfshiheshin muxhahedinë si dhe ylli në ngjitje, Osama bin laden.

Në vitin 1979, Armata e Kuqe hyri në Afganistan dhe mbështeti PdpA. Por ishte një dështim: lufta përfundoi në vitin 1989, me tërheqjen përfundimtare të rusëve (dhe fillimin e grindjeve mes fiseve fitimtare).

AFRIKA

Në Afrikë ashtu si në Azi, vitet e Luftës së Ftohtë përkuan me vitet e dekolonizimit. Në shumë shtete regjimet e vjetra (pothuajse gjithmonë monarki filoperëndimore) ranë në vijim të grushteve të shteteve, me orientim socialist dhe nacionalist: në 1954 në Egjipt, me rënien e mbretut Faruk erdhi në pushtet koloneli Gamal Abd el-Nasser; në 1969 në Libi, koloneli Muammar Gheddafi dëboi mbretin Idriz dhe vendosi një socializëm të llojit islamik; në 1974 në Etiopi, junta ushtarake e Derg i zuri vendin perandorit Haile Selassie.

ANGOLA (1975-2002) – Një konflikt shumë mizor u krijua në vitin 1975 kur portugezët u larguan nga Angola dhe Mozambiku: u krijuan qeveri marksiste dhe menjëherë më pas, shpërthyen luftëra civile (në Angola nga 1975 deri në 2002, pati 500 mijë viktima) gjatë të cilave palët ndërluftuese mbështeteshin, sipas ideologjisë, nga perëndimorët apo komunistët.

ETIOPIA (1977-1978) – Loja e aleancave ishte paradoksale gjatë konfliktit të Ogaden, mes Somalisë dhe Etiopisë. E para sulmoi të dytën, në ndihmë të të cilës erdhën sovjetikët (që më parë kishin qenë aleatë të Somalisë), ndërkohë që SHBA mbështetëse të Etiopisë, nisën të mbështesin Somalinë (e cila në fund u mposht).

SUEZI (1956) – E një lloji krejt tjetër ishte kriza që shpërtheu në Egjipt në korrik 1956, kur Nasseri shtetëzoi kompaninë në pronësi francezo-britanike, që menaxhonte kanalin e Suezit, burimi kryesor i të ardhurave në vend. Britania e Madhe, Franca dhe Izraeli planifikuan operacionin Musketeer: Izraeli pushtoi Sinain, më pas Franca dhe Britania e Madhe ndërhynë dhe pushtuan sërish zonën e kanalit. Por Egjipti nuk u gjunjëzua, dhe atëherë ndërhynë fuqitë e mëdha. BRSS mori në mbrojtje Egjiptin dhe kërcënoi se do të sulmonte Londrën dhe Parisin. SHBA u detyruan t’i kërkojnë Izraelit, Francës dhe Britanisë së Madhe që të tërhiqeshin.

AMERIKA LATINE

Në Amerikën Latine, SHBA vepruan sipas doktrinës së ambasadores Jeane Kirkpatrick: “Eshtë e drejtë që të përmbysen qeveritë e majta, edhe nëse janë të zgjedhura demokratikisht, duke i zëvendësuar me diktatura të djathta, sepse të parat janë të parikuperueshme”.

GUATEMALA (1954) – Në një linjë me këtë parim, i shpallur në vitet tetëdhjetë, qysh prej vitit 1954 CIA kishte organizuar një grusht shteti në Guatemalë, duke rrëzuar presidentin socialist Jacobo Arbenz Guzman, që ishte zgjedhur në mënyrë demokratike. CIA vendosi të veprojë me këto metoda në të gjithë Amerikën e Jugut, duke koordinuar parti të së djathtës ekstreme, vrasës dhe lëvizje guerilase antikomuniste.

KILI (1973) – Në mënyrë të veçantë, Operacioni Condor përfshiu në vitet shtatëdhjetë të gjithë Amerikën e Jugut dhe destabilizoi, edhe shtete ku e majta kishte ardhur në pushtet në mënyrë legjitime. U përfshinë Kili (me grushtin e shtetit kundër Salvador Allende në vitin 1973), Argjentina, dhe më pas Bolivia, Brazili, Peruja, Paraguaji dhe Uruguaji.

Kurrë më Kuba!

Për këtë pati shumë pak ndërhyrje të drejtpërdrejta të forcave të armatosura amerikane: pushtimi i Santo Domingos (1965) dhe i Grenadës (1983).

Kjo ndodhi sepse SHBA druheshin mos përsëritej situata e krizës së Kubës në tetor 1962, kur e gjithë bota ishte në prag të Luftës së Tretë Botërore. / Bota.al