Koço Kokëdhima: Rama dhe narko-shteti i tij, votime si në rrethim!

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, i pozicionuar ashpër që prej tre vitesh kundër Edi Ramës dhe klanit klepto-kriminal të tij, nëpërmjet një shënimi pikant në faqen e tij në FB, ka demaskuar mënyrën se si po shkon drejt votimeve Rilindja në 30 Qershor.

“Pasi instaloi për 6 vite rresht një narko-shtet ku nuk dihet ku nis e ku mbaron bashkëqeverisja me krimin dhe korrupsionin, akti i fundit i turpshëm dhe i paprecedentë i këtij devijimi historik është rrethimi i votës”, shkruan mes të tjerave për këtë çështje Kokëdhima, duke e shoqëruar shënimin e tij edhe me karikaturën e fundit të mjeshtrit Bujar Kapexhiu, frymëzuar pikërisht nga kjo temë e nxehtë.

Shënimi i plotë i Koço Kokëdhimës

Si në rrethim!

Duket se kreu i Rilindjes nuk ka ndërmend që ta ndalë vrapin e çmendur drejt zgjedhjeve vendore monopartiake, edhe pse tashmë është e qartë që shumica dëmuese, mbi 90 për qind e shqiptarëve, me apo pa parti, janë kundër mbajtjes së tyre.

Edhe Këshilli i Europës sot anuloi delegacionin e tij për vëzhgimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Shqipëria nga viti 1994, asnjëherë nuk ka bërë zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe kjo është arsyeja e vërtetë e kësaj krize të rëndë që ka futur qytetarët dhe ekonominë në depresion. Por Edi Rama me zgjedhjet e 30 qershorit, do të hyjë në histori si një autokrat i korruptuar, i cili edhe kutinë e votimit do ta rrethojë me polici, me ushtri dhe me tela me gjemba.

Pasi instaloi për 6 vite rresht një narko-shtet ku nuk dihet ku nis e ku mbaron bashkëqeverisja me krimin dhe korrupsionin, akti i fundit i turpshëm dhe i paprecedentë i këtij devijimi historik është rrethimi i votës.