Denaj: Ekonomia me rritje në 3-mujorin e parë

Ekonomia shqiptare është rritur pozitivish në tremujorin e parë këtij viti, ndërsa pritshmëritë janë që ta mbyllim 2019, në shifrat e rritjes rekord të vitit të kaluar mbi 4%. Kështu u shpreh sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në një intervistë televizive, ku theksoi se, “Shqipëria ka rritjen e dytë më të lartë në rajon dhe nuk mund të ketë stanjacion të ekonomisë sot”. Duke u ndalur në zhvillimet politike në vend dhe sa e dëmtojnë këto zhvillime ekonominë e vendit, ministrja deklaroi se, “biznesi dhe qytetarët të jenë të qartë që kjo situatë nuk do të zgjasë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Sot parametrat fiskal janë në kontroll dhe sipas treguesve të parashikuar, eksportet gjithashtu janë në trend rritje, ne punojmë me kapacitet të plotë dhe në kushte normale”.

”Ekonomia është e shëndoshë dhe situata ekonomike është duke vijuar në të njëjtën frymë sipas parashikimeve”,-tha Denaj ndërsa solli në vëmendje se indeksi i ndjeshmërisë ekonomike i matur së fundi nga Banka e Shqipërisë, për 5-mujorin e parë të vitit 2019, tregon siç tha ajo ”rritje të besimit të biznesit në ekonominë e vendit”. ”Pra sipërmarrja shprehet pozitivisht për mjedisin ku e zhvillon biznesin”,-theksoj Denaj. Ajo tha se Shqipëria po tërheq vëmendjen e investitorëve të huaj, dhe solli në vëmendje rastin e investitorëve nga Suedia, të cilët shprehën interes për sipërmarrje të reja në vendin tonë, gjatë takimit për Ballkanin Perëndimor, që u zhvillua dy ditë më parë në Suedi.

”Ne po menaxhojmë me donatorët një reformë në administratën publike dhe buxhetet lokale janë me një qasje drejt nevojave lokale, që nuk kalojnë kompetencat e pushtetit qendror. Testi i reformës ka treguar rezultate të frytshme. Kjo reformë do të ketë përfitime në ekonomi. Ne po vijojmë punën në disa drejtime, mbi të gjitha në ekuilibrat fiskal, uljen e borxhit dhe për shlyerjen e detyrimeve të biznesit këtë vit kemi rritur fondin nga 14 miliardë lekë në 19 miliardë lekë”,-tha Denaj. Gjithashtu nënvizoi ajo, jemi futur në një proces riorganizimi në dogana e tatimeve në luftën kundër informalitetit dhe finalizimin e procesit të fiskalizimit që synon pagesa përmes sistemit online.