Veliaj: Linjë e re e dedikuar ujësjellësi për Astirin dhe Unazën e Madhe, dyfishojmë kapacitetin filtrues në Bovillë

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisën ditën sot me një kafe dhe bashkëbisedim me banorët e Njësisë Nr.2 në kryeqytet. Kryebashkiaku Veliaj informoi kryeministrin në lidhje me projektin e dyfishimit të kapacitetit filtrues dhe transmetues të ujit nga Bovilla deri në Tiranë.

Ai tha se përfituesit kryesor do jenë zonat periferike si Astiri apo zona e Unazës së Madhe, kjo pasi projekti parashikon një linjë të dedikuar vetëm për këto zona. “Te Astiri po punojmë për ujësjellësin.

Qeveria po bën pjesë nga Bovilla te impianti, ne po bëjmë pjesën me BERZH-in, dyfishimi i impiantit të filtrimit dhe pjesën tjetër të tubacionit të dedikuar që na furnizon Astirin, dhe lagjet e reja që kanë qenë me puse. Me vendimin e Këshillit Bashkiak zgjidhim përfundimisht çështjen e ujit në Tiranë.

Edhe kjo energji mes Drejtorisë së Ujërave në qeveri dhe UKT na ka dhënë një kombinim përfitues”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se në bashkëpunim me ARRSH-në ka nisur rikonstruksioni i rrugës së vjetër Tiranë-Durrës, ndërsa aktualisht punimet janë përqendruar në segmentin Tiranë-Vaqarr.

“Me Sonilën dhe ARRSH-në, filloi rruga e Ndroqit, që është një rrugë e ARRSH-së, një rikonstruksion. Tani janë duke punuar tek segmenti Tiranë-Vaqarr. Gjithashtu rruga për në Pezë, e cila derisa të”fillojë autostrada e re do të bëhet si një by-pass”, u shpreh Veliaj.