”Tubim urgjent në Kukës”, PD kërkon leje për 8 orë (Foto)

Paditen e kësaj të marte, kryeministri Edi Rama, do të vijojë fushatën elektorale në qytetin e Kukësit, ndërsa PD-ja ka kërkuar njëkohësisht të mbajë një protestë. Dega e PD-së në Kukës dhe koalicioni opozitar, ka vendosur të zhvillojë një tubim urgjent në formën e marshim-protestës më datë 25 qershor. Qëllimi i tubimit thuhet se është: ”Mbrojtja e demokracisë, shtetit ligjor dhe shkëputja e politikës dhe krimit si garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme, që siguron mirëqenie dhe punësim për shqiptarët, si dhe luftë kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”.  PD-ja ka kërkuar leje për këtë tubim nga ora 14:00 deri në orën 22:00.

Duket se nga protesta e opozitës, ka bërë që Rama të ndryshojë axhendën në minutën e fundit. Mësohet se takimi i parë ishte planifikuar në sheshin kryesor të qytetit por më tej është ndryshuar. Sipas Safet Gjicit që është dhe kandidat për bashkinë e Kukësit, takimi do të mbahet në sheshin brenda kantierit ku pritet që të ndërtohet aeroporti. “Nesër në orën 18:00, Kukësi do të mirëpresë Kryeministrin e Shqipërisë z.Edi Rama. Takimi do të mbahet në aeroportin e Kukësit! Ftoheni të merrni pjesë! #30Qershor #KukësiNukNdalet”, shkruan Safet Gjici.