Transferimi i veprimtarisë ekonomike/ DPT: Rregullat dhe procedurat që duhen ndjekur

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka vënë në dijeni tatimpaguesit mbi transferimet e veprimtarive ekonomike dhe rregullat që ata duhet të ndjekin.

DPT tha se nuk konsiderohen transferim i veprimtarisë ekonomike:

– transferimet e mallrave dhe shërbimeve që realizohen në përfitim të një personi të tatueshëm që nuk synon të shfrytëzojë tërësinë e transmetuar, por thjesht likuidon aktivitetin në fjalë ose kërkon ta shesë atë

– transferimi i mallrave, si shitja e një stoku produktesh;

– kalimi i aseteve ose një pjese të tyre që i përkasin një personi të tatueshëm, të destinuara prej tij për të kryer një veprimtari, veprimtari e cila në fakt nuk është ushtruar nga transferuesi.

Sipas njoftimit, marrësi i transferimit konsiderohet si pasardhësi i transferuesit dhe vazhdon të shfrytëzojë tërësinë e transferuar në një formë apo një tjetër. Megjithatë, DPT tha se nuk kërkohet që ai të ketë ushtruar paraprakisht të njëjtin aktivitet me transferuesin apo të vazhdojë më pas në mënyrë strikte të njëjtin aktivitet me atë që ka ushtruar më parë transferuesi. Pas transferimit duhet të sigurohet, autonomia e tërësisë së aseteve që transferohen, qoftë kjo si një transferim tërësor i aseteve ose si transferim i një tërësie të pjesshme.

DPT bëri me dije se mosaplikimi i TVSH-së për transferimet e një tërësie të plotë apo të pjesshme të aseteve kërkon që transferimi të kryhet midis dy personave të tatueshëm që e shfrytëzojnë veprimtarinë e transferuar për një veprimtari të tatueshme si rezultat i së cilës do të paguajnë TVSH.

Mallrat dhe shërbimet e përfshira

Për sa i takon transferimit të veprimtarisë zbatohet për tërësinë e aseteve të mallrave dhe shërbimeve,*00 që i përkasin tërësisë së transferuar, ose tërësisë së pjesshme të transferuar, DPT tha se tërësia e aseteve të një personi të tatueshëm në një veprimtari ekonomike përbën fondin e investimit, i cili përfshin stokun, pasurinë e paluajtshme, aktive të trupëzuara, ose të patrupëzuara, patentat e ndryshme, kontratat e punësimit, etj.

Sipas njoftimit, procedura e transferimit të veprimtarisë dhe rregullat që duhet të zbatohen janë:

– Transferimi i veprimtarisë bazohet mbi një kontratë (akt transferimi) të noterizuar midis transferuesit dhe marrësit të transferimit i cili regjistrohet në pasqyrat financiare të ndërmarrjes;

– Të gjitha të dhënat, librat dhe regjistrimet që kanë të bëjnë me tërësinë e aseteve apo pjesën e tyre që është transferuar, të detyrueshme për t’u mbajtur, pas transferimit, në vend të transferuesit duhet të mbahen nga marrësi i transferimit.

-Transferimi të bëhet ndërmjet dy personave të tatueshëm të regjistruar për TVSH-në.

-Për aktivet e luajtshme që transferohen, afati i rregullimit në përputhje me ligjin, fillon nga data e blerjes ose prodhimit të aktivit nga personi i tatueshëm transferues.

-Rregullime të TVSH-së së zbritshme, bazuar në parimin dhe të drejtën e zbritjes, sipas rastit do të bëhen përkatësisht kur kemi të bëjmë me ndryshime të veprimtarisë nga veprimtari e tatueshme në të përjashtuar nga TVSH-ja.

-Palët e përfshira në transferim, në aktin e transferimit, duhet të shprehen dhe të evidentojnë TVSH-në e zbritshme dhe të drejtën e kalimit të saj ose jo, tek marrësi i transferimit

– Autoriteti tatimor bën vetërregullimin e TVSH-së nëse transferuesi nuk e ka kryer atë dhe personi i tatueshëm marrës i transferimit nuk gëzon të drejtën të njohë si të zbritshme këtë TVSH.

– Në çdo rast akti i transferimit (kontratë e noterizuar) shoqërohet detyrimisht me një kartelë ku evidentohet çdo aktiv i trupëzuar (i luajtshëm dhe i paluajtshëm), vlera e tatueshme dhe TVSH-ja e zbritshme në momentin e blerjes ose prodhimit të aktivit të vërtetuar me dokumentacionin përkatës të blerjes së aktivit dhe data e blerjes së tij.

-Transferuesi e dokumenton me faturë tatimore shitje transferimin e tërësisë së aseteve ose tërësisë së pjesshme ku evidentohen zërat përkatës të bilancit që transferohet dhe vlera totale e transferimit.

Nëse transferuesi lëshon një faturë që përfshin TVSH-në, ai është përgjegjës për TVSH-në e faturuar. Në raste të tilla, marrësi i transferimit nuk gëzon të drejtën të zbresë TVSH-në.

-Transferuesi dhe marrësi i transferimit detyrohen që të njoftojnë autoritetin tatimor kur kryejnë transferim të veprimtarisë ekonomike, të paktën 45 ditë kalendarike përpara se të ndodhë transferimi.