Të gjithë e kanë një plan… deri më 30 qershor!

Nga Lutfi Dervishi –

Shumica ka në plan që të zhvillojë zgjedhjet aty ku mundet dhe të ecë përpara duke hedhur mbi kurriz edhe 61 bashkitë.

Opozita e ka shpallur planin se do të bëjë të pamundurën që të mos ketë votime më 30 qershor. Bashkitë që kontrollohen nga opozita kanë bërë edhe letra publike në adresë të KQZ-së dhe ministrit të Brendshëm, duke njoftuar se do të bëjnë gjithçka për të respektuar dekretin e Presidentit të Republikës.

Presidenti Republikës ka në plan që të bëjë ç’është e mundur që dekreti që anulon zgjedhjet e 30 qershorit, i botuar në Fletoren Zyrtare, të zbatohet.

Parlamenti ka në plan të vijojë me procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Ndërkombëtarët e kanë një plan të qartë deri më 30 qershor për të respektuar “kuadrin kushtetues” dhe institucionet shqiptare.

Media e ka një plan për të “mbuluar” datën 30 qershor.

 

Katër ditë para 30 qershorit duket se e vetmja gjë për të cilët palët bien dakord është se më 30 qershor do të jetë ditë e diel dhe eventualisht ndoshta bien dakord që të nesërmen është ditë e hënë dhe data do të jetë 1 korrik 2019.

 

Po zgjidhja?

 

Votimet e datës 30 qershor, ku shpresohet që shumica nuk do të marrë më shumë se 61 bashki, nuk e zgjidhin krizën politike.

Shumica e sheh zgjidhjen te “fatura” e rëndë që do të paguajë opozita për bojkotin e Parlamentit dhe mosfutjen në zgjedhje lokale. Zgjidhja shihet te “proceset e brendshme” brenda opozitës. Zgjidhja shihet jo te “mundja” në garë e kundërshtarit, por te shkatërrimi i tij.

Opozita e sheh zgjidhjen te “kaosi” eventual i 30 qershorit ose më largpamësit e shohin tek obeziteti i pushtetit, që duke marrë gjithçka i zë syri, nuk do të ketë stomak për t’i bërë vend gjithë “presë”. Opozita e sheh edhe ajo zgjidhjen te “shkatërrimi/asgjësimi” i kundërshtarit.

Ndërkombëtarët e shohin zgjidhjen hap pas hapi, duke testuar sa rrugën ligjore, aq edhe realitetin politik në vend.

 

Për të shkuar drejt zgjidhjes…

 

Receta është e vjetër dhe e testuar me sukses në plot vende.

 

Politikani duhet të sillet si politikan dhe jo si bandit!

Politika duhet përdorur si art i kompromisit dhe jo si art i konfliktit!

Partitë duhen trajtuar si organizata politike dhe jo si banda!

Zgjidhja kërkohet te dialogu, dëgjimi i tjetrit, te marrëveshja, te kompromisi e jo te forca, bullizmi, kërcënimi dhe dhuna!

 

Interesat e vendit janë mbi ato të partisë, familjes dhe individit.

 

Deri tani shohim politikanë që ecin në gjumë dhe flasin në jerm.

Loja me zjarrin – kur kalon caqet e lojës – bëhet më e rrezikshme dhe fatura shumë e rëndë për t’u shlyer. Zgjidhja do të vijë.

Pyetja është: Me çfarë çmimi?