Putin firmos sanksionet – Edhe Shqipëria në listë, zgjaten deri më 31 Dhjetor 2020

Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur zgjatjen e sanksioneve ndaj shteteve perëndimore me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë e të cilave është edhe Shqipëria.

Sanksionet që vijnë si reagim ndaj sanksioneve të vendosura nga perëndimi ndaj kremlinit, do të qëndrojnë në fuqi deri në fund të vitit të ardhshëm. Dokumenti i cili është tashmë publik thotë: “Operacioni i Presidentit për masa specifike ekonomike i firmosur me dekret në 6 gusht të 2014-ës të zgjatet nga 1 janari deri në 31 dhjetor të vitit 2020”.

Sanksionet i kushtojnë ekonomive europiane rreth 240 miliardë dollar dëm, ndërkohë që Rusia humbet rreth 50 miliardë dollarë. Pesë vite më parë, Kremlini ndaloi importin e disa produkteve të caktuara bujqësore, të bakrit si dhe ushqimet nga vendet perëndimore, të cilat i vendosën sanksione Rusisë si pasojë e konfliktit të Krimesë.

Këto shtete janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Europian, Kanadaja, Australia, Norvegjia, Islanda, Mali i Zi, Liechtenstein, Ukraina si dhe Shqipëria.