Po vjen, fatkeqësisht, e DIELA E PËRGJAKSHME!

Kandidatët e PS-së kanë filluar të grumbullojnë të “fortët” e krimit dhe po bëjnë lista për të mbrojtur qendrat e votimit që të mos lejojnë opozitën të afrohet apo të prekë kutitë. Pra do konfrontohen, ku nuk dihet përfundimi, aq me tepër që kanë ndodhur plagosje dhe të vrarë në zgjedhje normale e jo më si këtë radhë, kur fituesi është caktuar pa shkuar në kutitë e votimit. 

 Opozita bën thirrjen e madhe për të dielën me datë 30 qershor: Nuk do lejojmë votimet e Edi Ramës në asnjë qendër votimi. Fatmir Mediu bën thirrje ndërkombëtarëve ti ndalin dorën kriminale kryeministrit, i cili po e fut popullin në përplasje. Ndërkohë kryeministri kërcënoi se do të mbushë burgjet me 30 qershor me opozitarë.

Kolegji Zgjedhor ka hedhur dje edhe një hap më shumë drejt çmendurisë që ka kapur mazhorancën për të zhvilluar zgjedhje pa dekret të Presidentit dhe pa opozitë. Institucioni që shqyrton ankesat për zgjedhjet, në mënyrë anti-kushtetuese tejkaloi kompetencat duke dhënë një vendim kundër dekretit të Presidentit.  Për të gjithë ata “ekspertë” që dje ulërinin se “drejtësia foli dhe të tjerët të heshtin” u duhen kujtuar dy gjëra elementare. E para, dekretet e Presidentit të Republikës mund të merren në shqyrtim dhe rrëzohen vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Çdo institucion tjetër, sido që të ketë emrin vetëm sa shkel ligjin duke vendosur për aktet e një institucioni tjetër kushtetuese. E dyta, Kolegji Zgjedhor nuk bëri asgjë më shumë sesa firmosi një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky i fundit, në parim është një institucion që përfaqëson ndarjen politike të Kuvendit, pasi dhe anëtarët propozohen nga partitë. Pra, anëtarët e PS që kanë shumicën në KQZ rrëzuan dekretin e Presidentit duke shkelur ligjin. Votimi i KQZ është njëlloj sikur asambleja e PS të votonte kundër kreut të shtetit. Kolegji dje, vetëm sa u përpoq të shpëtoi nga burgu anëtarët e KQZ-së që zbatuan marrëzinë e urdhrit të Edi Ramës, por Kolegji nuk respektoi ligjin dhe nuk i dha vendit një proces elektoral me standarde. Pra, dje nuk foli drejtësia, por partia dhe askush nuk duhet të ketë iluzione se me vendimin e Kolegjit u respektuan parimet demokratike dhe një proces zgjedhor i ligjshëm. Me papërgjegjshmëri për situatën në të cilën kalon vendi dhe me mos respektimin minimal të ligjit, trupa e kolegjit justifikoi gjithë atë çfarë po bënë Partia Socialiste me një proces fallso. Vendimi i turpshëm i shqyrtimit të një akti të Presidentit, nga një institucion që nuk e parashikon ligji, nuk është vetëm atentat ndaj Kushtetutës. Akti i djeshëm i Kolegjit është dhe një atentat ndaj stabilitetit të vendit. Nëse kjo çmenduri nga ana e PS dhe Edi Ramës po bëhet për hir të pushtetit, juristëve nuk u falet që në moment kaq kritik, të bëhen ekzekutuesit e demokracisë dhe parimeve të një shteti ligjor. Ajo çfarë ndodhi me vendimin e Kolegjit i jep dhe një të drejtë më shumë opozitës në qëndrimet e saj kundër Qeverisë dhe proceseve zgjedhore të manipuluara. Shqiptarët panë se Rilindja jo vetëm vjedhë votat me kriminelë, jo vetëm i ka kthyer ministrat, deputetët dhe drejtorët në sekserë, jo vetëm u bën presione votuesve dhe ble vota, siç tregoi gazeta “Bild”, por i masakron proceset zgjedhore edhe në sallat e gjykatave. Akti i Kolegjit është dëshmi se nuk kemi një mazhorancë që kërkon më shumë pushtet, por një regjim që i ka kapur prej kohësh të gjitha pushtetet. Edhe nëse votat nuk i merr dot më kërcënime drejtori i policisë si në Dibër, edhe nëse kriminelët nuk arrijnë të vjedhin sa duhet, edhe nëse ministrat nuk terrorizojnë gjithë votuesit, në fund çdo zë kundër këtij regjimi e mbyllin kamikazët e Kolegjit. Me këtë skemë asgjësimi të votave që nis nga kutia e votimit dhe përfundon deri të Kolegji Zgjedhor asnjë opozitë nuk ka shanse të sfidojë Rilindjen kriminale. Kolegji mori një vendim të turpshëm që u tregoi shqiptarëve se me këtë qeveri vetëm për zgjedhje normal nuk mund të flitet. Ndaj pas këtij vendimi, drejtuesit e opozitës deklaruan se akti i djeshëm  ishte i pritshëm dhe nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e frontit opozitar. Kryetari i LZHK Dashamir Shehi, paralajmëroi se çfarëdo të vendosin institucionet në shërbim të Edi Ramës, në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. “Ne do të shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë juntë që është e vendosur, ne nuk do ti njohim zgjedhjet, në 30 Qershor s’mund të ketë votime. Do të ketë demonstrata, çdo gjë do të jetë sipas ligjeve, rezistenca jonë do të jetë edhe më e madhe”,-deklaroi Dashamir Shehi. Ndërkohë falë edhe aktit të gjyqtarëve dje, socialistët ndjehen më të motivuar për t’i shkuar marrëzisë deri në fund. Veç gjithë aparatit policor që është vënë në shërbim të PS për zgjedhjet, vetë kandidatët kanë nisur të paguajnë “të forte” dhe grupet kriminale për t’u ruajtur kutitë e votimeve në 30 qershor. Si asnjëherë më parë, shteti dhe krimi janë bërë bashkë për votimet kundër opozitës. Ndërkohë Aleanca Qytetare e Opozitës në çdo qytet dhe qendër votimi pritet të reagojë ndaj kësaj farse.

Me këto qëndrime të palëve 30 qershori pritet të jetë një ditë përplasje civile, ku urojmë të mos ketë të plagosur dhe të vrarë. Përleshjet kanë ndodhur, bile edhe të vrarë, në procese normale zgjedjesh ku konkuronin të gjitha partitë, e jo më tani që PS-ja dhe kryeministri po merr të gjitha bashkitë, pa garë dhe ku dihet fituesi, pas shkuar në votime.

Ndaj, ndaluni dhe arësyetoni, zotërinjë politikanë! Mendoni se do të gjakosen njerëz, ndaj në emër të Zotit uluni dhe gjeni zgjidhje sëbashku!

Mili Xhani