Kërkojnë të evitojnë përplasjet, materialet zgjedhore në Gjirokastër shpërndahen me makina ushtrie

Shqipëria po kalon një nga situatat më të vështira politike të viteve të fundit. Dy kampet janë të ndarë përsa i përket datës së zgjedhjeve.

Nga njëra anë socialistët shprehen të bindur se zgjedhjet do zhvillohen me datë 30, ndërsa demokratët që kanë djegur mandatet kërkojnë respektimin e dekretit të presidentit.

Nisur nga kjo situatë, janë regjistruar konflikte të shumta dhe përplasje në disa qytete të vendit.

Simpatizantë të opozitës, por edhe ish-deputetë të PD, janë përleshur me policinë, e cila ruante KZAZ-të. Në disa KZAZ gjithashtu janë djegur edhe materiale zgjedhore.

Ndërkohë në Gjirokastër, materialet zgjedhore janë duke u transportuar me makina të ushtrisë dhe policisë. Aktualisht situata në Gjirokastër është e qetë dhe nuk është shënuar asnjë përplasje midis përkrahësve të opozitës dhe policisë.

Kujtojmë këtu se Kolegji Zgjedhor, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, ka hedhur poshtë dje dekretin e presidentit.