Zgjatet afati për leje ndërtimi. Projektligji: Do të bëhet për 60 ditë pune, lehtësim për tokën “jo truall”

Shqyrtimi i aplikimit për t’u pajisur me leje ndërtimi do të zgjatet me 1 muaj, duke shkuar në total në 3 muaj kohë.

Gjithçka parashikohet në një projektligj të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili bën një saktësim të afateve ligjore në këtë drejtim. Aktualisht shqyrtimi i aplikimeve bëhet brenda 60 ditësh, ndërkohë që ligji i ri kërkon që kjo procedurë të bëhet për 60 ditë pune, çka në thelb zgjat me 1 muaj procedurën. Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin në Kuvend ky ndryshim vjen si domosdoshmëri, pasi  edhe në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit është përcaktuar që afatet ligjore për përllogaritjen e procedurave administrative që kryhen nëpërmjet sistemit “e-leje”, gjatë shqyrtimit të aplikimeve, janë në ditë “pune”.

Ndërkaq, një tjetër ndryshim që pritet të sjellë lehtësi në marrjen e një leje ndërtimi lidhet me statusin e tokës. Sipas relacionit, gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ndryshme për leje ndërtimi, është konstatuar se sipërfaqet, në të cilat kërkohet të ndërtohet, nuk gëzojnë statusin “truall”, çka  kërkon zbatimin e procedurave për ndryshimin e resurseve të tokës, që janë formale dhe zgjasin në kohë, duke krijuar mospërputhje me afatet e shqyrtimit e të miratimit të lejeve, si dhe vonesa për aplikuesit. Për këtë arsye,  ligji i ri sugjeron që të parashikohet ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Prej muajit shtator 2016 ka filluar nga funksionimi sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit si platforma e vetme për kryerjen e aplikimeve dhe shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi.