Viktor Tushaj i shkruan Ramës: Askush nuk do ta falë rrënimin e degradimin institucional të këtij vendi

Nga Viktor Tushaj

Quò vadis o Pakrye – ministër!
Ku e telendise këtë vend të bekuar!
Askush nuk do të ta falë rrënimin social, ekonomik e degradimin institucional të këtij vendi të vuajtur. Si nuk pyete një herë për shtetin e së drejtës dhe për të drejtat e njerëzve të thjeshtë të këtij vendi?
Si nuk pyete për ata që i mashtrove e kërcënove për të blerë pushtetin tënd, por, i syrgjynose, i degdise, i dhunove, i përçmove deri dhe i burgose?
Po si do pyesje xhanëm ti! Sepse ti nuk je më Ti. Je ata që të ngritën dhe të dhanë atë që s’e paske merituar kurrë. Tani janë ata që të shantazhojnë ty dhe ti s’bën gjë tjetër veçse u kthen reston me ofiqe, para e koncesione duke dhunuar të pafajshmit, popullin e thjeshtë të këtij vendi që kërkon drejtësi të barabartë për njerëzit, shkollë e punë, shëndetësi me çmime të arsyeshme dhe siguri jete e prone.
Ti bëre ekzaktësisht të kundërtën e asaj që mund dhe duhet të bëjë një burrë shteti. Sepse i tillë nuk ishe dhe nuk u bëre kurrë.
Mjerë ai vend që kultivon besimin e një frikacaku të paaftë dhe të pabesë!
Sa paudhesi i bëre këtij populli, duke abuzuar kudo e duke dhunuar këdo në emër të tij. Këtë bëre kur në emër të tij fute e legalizove helmin e drogës, kur në emër të tij kriminalizove çdo segment të shtetit dhe institucioneve të tij deri në parlament e qeveri, i vendose bandat kriminale mbi shpatullat e brishta të popullit fukara, e ndyve gjuhën e bukur amtare të Fishtës, Nolit e Konicës me gjuhën ordinere të Gjiknurëve e Tahirëve, sakatove ekonominë dhe përdhunove biznesin duke bërë që rinia të marrë arratinë dhe mençuria e këtij vendi të heshtë.
Luks i madh për këtë vend të përçmoje Plasarët dhe idiloje Manjat e Ballat, të fyeje të ndershmit dhe të ngreje hajdutët ordinerë, të largoje të aftët dhe të mençurit e t’ia besoje shtetshkatërrimin banditëve e kriminelëve.
Por, mos harro o “njeri” se dita e gjykimit të Zotit ka ardhur dhe ajo do të flasë me zërin e urrejtjes popullore. Do të flasë me zërin e jetimëve e të semurëve, shtresave në nevojë e familjeve me ndihmë ekonomike, të papunëve, pensionistëve, studentëve, minatorëve, naftëtarëve e të persekutuarve, të rinisë dhe gjithë qytetarëve të këtij vendi, demokratë e socialistë, LSI-stë, republikanë, demokristianë, agraristë etj. E atëherë ferri juaj nuk do të jetë si ai i filxhanit të fallxhores por shumë më i zi dhe më i rëndë.