Situata politike, Shameti: Zgjedhjet do jenë teatrale

Gazetari Sokol Shameti i ftuar në emisionin “A show” të drejtuar nga Adi Krasta tha se kjo që po ndodh në Shqipëri është një çmenduri. Ai shtoi se zgjedhje do të jetë, por do të jenë tërësisht teatrale.

“Po ta marrësh nga ana semantike, nuk do ketë zgjedhje. Do ketë zgjedhje teatrale. Do bëhen zgjedhje fasadë. Kjo që po ndodh është një çmenduri e madhe. Ka një pjesë që thonë se nuk duhet të ketë zgjedhje, kurse ka një pjesë që thonë le të ndodhë, të shkojë deri në fund. Unë jam te pjesa e dytë”, tha Shameti.

Në lidhje me fushatën elektorale të Ramës në bashki të vendit, ai nënvizoi se këta janë hapat e para të një të sëmuri terminal.

“Këto janë hapa si një të sëmuri terminal. Kur të sëmurit i thonë se je keq, ai e mohon. Domethënë edhe buzëqeshje ka në mes, ndërsa pastaj vjen faza e vdekjes së klientit.”, deklaroi Shameti.

Gazetari Shameti vlerësoi se data 1 korrik me siguri do të jetë një ditë normale, ku shqiptarët sërish do të ankohen për ekonominë e tyre.

“Datën 30 plus një e quaj si një ditë të nesërme reale. Data 1 korrik do të shikojmë s njerëzit do të kenë të njëjtat probleme, do hapin frigoriferin dhe do jetë bosh. Do zbulojnë se nuk qëndron problemi te procedura, por duhet të ndryshojë sistemi ekonomik që të ndryshojë sistemi politik”, u shpreh Shameti.

Gazetari Sokol Shameti theksoi se ndërkombëtarët duhen respektuar, por se ata nuk janë gjithçka. Ai tha se të huajt në vendin tonë duhen parë me realizëm e të punohet më shumë për shqiptarët e thjeshtë.