Shpërndante “ekstazi” në Drimadhë, kapet i riu nga Tirana

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një të ri nga Tirana i cili është kapur me 100 kokrra “ekstazi” dhe një sasi parash.

Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në zonën e Drimadhës, shpërndahej drogë stimuluese nga një shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Drimadha”, ku në bashkëpunim me forcat operacionale pranë DVP Vlorë kanë vënë në pranga 22- vjeçarin nga Tirana S.K.

Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti shtetasit S.K., 100 kokrra lëndë narkotike e dyshuar “Ekstazi” (drogë stimuluese) si dhe një sasi valute prej 525 eurove dhe 60.000 lekë të rinj, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes.

Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.