Qendër e re shëndetësore në Ksamil, Manastirliu: Në gatishmëri për fluksin e turistëve

Qendra shëndetësore Ksamil është rehabilituar plotësisht, për t’i shërbyer me kushte dhe standarde bashkëkohore jo vetëm mbi 8 mijë banorëve të kësaj zone por edhe turistëve të shumtë që frekuentojnë Ksamilin gjatë sezonit veror. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore të Ksamilit, ku garantoi gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës të shërbimit mjekësor në zonat turistike.

“Me këtë qendër shëndetësore model, të rehabilituar në kuadër të programit tonë të 300 qendrave të reja shëndetësore, por edhe me një tjetër qendër verore 24 orëshe, i përgjigjemi në kohë dhe me cilësi fluksit të shtuar të turistëve në Ksamil”, tha Manastirliu.

Dy qendra shëndetësore 24 orëshe funksionojnë në këtë zonë turistike gjatë gjithë sezonit veror. “Kemi shtuar personelin mjekësor për të garantuar mbulimin e plotë me shërbim shëndetësor në zonat turistike”, tha Manastirliu. Janë 132 mjekë dhe infermierë të punësuar për sezonin veror, në mbështetje të stafit ekzistues, që ofrojnë shërbim 24 orë në 28 qendrat shëndetësore verore nga veriu të jug të vendit. Çdo qendër verore ka tashmë setin e plotë të medikamenteve me 52 lloje barnash dhe 25 lloje materialesh mjekësore për çdo emergjencë.

Rreth 2700 pushues kanë marrë shërbim në 15 ditët e para të funksionimit të qendrave shëndetësore verore në zonat turistike. Qendrat shëndetësore verore po mbështeten edhe me 18 postacione fikse autoambulancash, spitalet me shërbim të përforcuar si dhe me Njësinë e Helikopterëve.